Sulmuesi i Llapit, Axel Gnapi, është shpallur futbollisti më i mirë i xhiros së shtatë në Superligën e Kosovës.
Francezi Gnapi ishte vendimtar të dielën në fitoren e skuadrës së Llapit duke realizuar dy gola.
Llapi e mposhti në shtëpi Gjilanin me rezultatin e thellë, 4:1. Për skuadrën llapjane ishte fitorja e parë këtë edicion.
Më i miri i javës shpallet nga Federata e Futbollit e Kosovës.
“Pas shumë punës që kemi bërë, tani kemi një atmosferë shumë të mirë në ekip. Çdo lojtar dhe çdo anëtar i ekipit po e mban këtë atmosferë pozitive. Edhe në humbjet që i kemi pësuar kemi qëndruar bashkë dhe kemi diskutuar për problemet, si dhe çka kemi mundur të bëjmë më mirë që të na vijnë rezultatet. Fillimisht, për skuadrën më duhet të them se kemi cilësi dhe potencial, andaj shpresoj për më të mirën. Do t’i marrim ndeshjet një nga një dhe besoj se do të kemi një sezon shumë të mirë. Ndërsa për çmimin “Ylli i Javës”, dua të falënderoj shokët e skuadrës, sepse dje kemi luajtur si një familje. Uroj të fitoj edhe shumë shpërblime të tjera”, u shpreh 24-vjeçari Gnapi të hënën për faqen zyrtare të FFK-së.