Sport

Prishtina zyrtarizon edhe Lejson Zeqirin

Skuadra e KB Sigal Prishtinës po vazhdon me përforcime për sezonin e ri. Të dielën, Prishtina ka zyrtarizuar edhe një lojtar tjetër që ishte pjesë e klubit sezonin e shkuar.

Lejson Zeqiri ka firmosur me Prishtinën edhe për dy sezone, duke u bërë basketbollisti i tretë i prezantuar këtë verë te kryeqytetasit pas Muhamedali Janjevës e Jetmir Zeqirit.

21-vjeçari sezonin e shkuar pati paraqitje të mira te Prishtina, si në kampionatin e Kosovës ashtu edhe në Ligën Ballkanike.

“Lojtari 21-vjeçar, nga më premtuesit në vend vazhdon të jetë pjesë e familjes bardhë e kaltër edhe për dy sezonet e ardhshme. I transferuar në sezonin e kaluar, me paraqitjet e tij ka bërë që klubi t'i besojë edhe për sezonet në vijim”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.

“Në sezonin e fundit në Superligën e Kosovës luajti me mesatare 11.4 pikësh dhe 4.6 kërcimesh dhe në Ligën Ballkanike me mesatare pothuajse identike prej 10.4 pikësh dhe 4.9 kërcimesh”.