Kualifikimin në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup do ta kërkojë edhe Sigal Prishtina. Ekipi prishtinas do të luajë në gjysmëfinale të turneut kualifikues të Grupit C, i cili nis të martën dhe përfundon të premten në Lituani.
Në gjysmëfinale Prishtina e pret fituesin e duelit çerekfinal mes BC Kalev (Estoni) dhe Cedevita Junior (Kroaci), që zhvillohet të martën.
Ndeshja gjysmëfinale është në program të mërkurën, ndërsa nëse Prishtina e kalon pengesën e parë, atëherë do të luajë në finale dhe me shumë mundësi do të jetë në fazën grupore. Pos kampionit të grupit edhe finalisti me shumë mundësi kualifikohet në grupe.
Ndërkohë në uebfaqen e FIBA-s Dardan Berisha i Prishtinës është përfshirë në mesin e dhjetë lojtarëve që duhet shikuar në turnetë kualifikues.
“Një lojtar që është sinonim i FIBA Europe Cup. Berisha ka qenë tipari kryesor i pjesëmarrjeve të mëparshme të Sigal Prishtinës në garë duke përfshirë mesataren e 27,7 pikëve për lojë në sezonin 2019/20. Reprezentuesi kosovar do të jetë i etur për të siguruar që skuadra e tij të kualifikohet në sezonin e rregullt për herë të gjashtë në historinë e saj. Prishtina kishte arritur në mesin e 16 ekipeve më të mira në vitin 2019”, ka shkruar FIBA.