Basketboll

Trepçën e pret udhëtim i vështirë në Greqi

Trepça

Me një ndeshje shumë të vështirë fillon gara e skuadrave kosovare të basketbollit në FIBA Europe Cup.

Në këtë garë kontinentale për klube paraqiten kampionia e Kosovës, Trepça dhe nënkampioni, Bashkimi.

Ndeshjen e parë e luan Trepça. 

Të mërkurën prej orës 19:15, Trepça luan në Selanik me skuadrën e njohur greke, PAOK. 

PAOK-u është finalist i edicionit të kaluar. Në finale ishte mposhtur nga Bilbao Basket. Rrjedhimisht PAOK-u vlerësohet favorit i madh ndaj Trepçës dhe po ashtu njëri prej ekipeve që synojnë suksesin në FIBA Europe Cup në edicionin e ri të garave. 

PAOK-u në xhiron e parë të Superligës greke pësoi 93:83 nga gjiganti evropian, Panathinaikosi. Në xhiron e dytë, në fundjavë, fitoi 84:82 ndaj Iraklisti.

Për trajner, PAOK-u e ka sllovenin e njohur, Jure Zdovc, ndërsa në përbërje ka shumë amerikanë cilësorë. 

Trepça e nisi mbrojtjen e titullit të kampionit të Kosovës me humbje në shtëpi nga Peja, 86:80.

Skuadra e Adis Beqiragiqit nuk është në momentin më të mirë.

Në fazën grupore të FIBA Europe Cup, Trepça kaloi pas eliminimit nga Heroes Den Bosch e Holandës në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Në grupet e FIBA Europe Cup, “xehetarët” paraqiten për herë të tretë. Vjet i humbën të gjitha gjashtë ndeshjet, njërën prej tyre me rezultat zyrtar. Dy vjet më parë e kishin një fitore e tri humbje, bilanc që nuk mjaftoi për avancim.

Trepça është në grup edhe me Braunschweigun gjerman dhe Anwilin polak.

“Djemtë tanë janë gati të japin maksimumin për fanellën dhe për krenarinë e vendit”, shkruan në një postim të mitrovicasve.

Udhëtim i vështirë e pret edhe Bashkimin e Prizrenit.

Skuadra e portokalltë të enjten prej orës 18:30 luan me Zagreb ndaj skuadrës së njohur kroate, Cibona.

Cibona nuk e ka forcën që e kishte dikur. Megjithatë vlerësohet favorite e madhe ndaj Bashkimit.

Skuadra prizrenase për herë të parë po garon në Evropë. Në raundin kualifikues të FIBA Europe Cup u ndal pas dy ndeshjeve nga Anwili polak. Por megjithatë avancoi në fazën grupore si njëra prej skuadrave më të mira humbëse.

Në grup me Bashkimin janë edhe Dijoni francez dhe Reggiana e Italisë.

Plot 40 skuadra paraqiten në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup. Fituesit e dhjetë grupeve avancojnë në raundin e dytë. Avancojnë edhe gjashtë skuadrat më të mira të pozitës së dytë prej dhjetë grupeve sa janë gjithsej. Pikërisht prej pozitës së dytë e shohin rastin Trepça e Bashkimi.

Avancimi eventual do të ishte sukses shumë i madh.