Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Trepça e pret Opavan çeke, Bashkimi luan në Estoni

FIBA

Dy skuadrat kryesore të basketbollit në vend i luajnë të mërkurën ndeshjet e radhës në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.

Kampionia në fuqi e Kosovës, Trepça, e pret skuadrën çeke, Opava, në kuadër të Grupit A. Ndeshja luhet nga ora 18:30 në palestrën “Minatori”. 

“Xehetarët” paraqiten të trimëruar pas fitores së madhe ndaj Splitit në Kroaci. Të mërkurën e kaluar Trepça mposhti Splitin me shifrat 78:69. Në xhiron e parë, Trepça humbi në shtëpi nga Patrasi grek. 

Opava në xhiron e parë humbi në shtëpi nga Spliti, kurse në xhiron e dytë fitoi ndaj Batumit në Gjeorgji. Cilësia e skuadrave vlerësohet e përafërt, kështu që pritet ndeshje e fortë. Skuadra e Adis Beqiragiqit është në moment të mirë, pasi nisi zbehtë edicionin. Ka fituar edhe dy ndeshjet e fundit kampionale ndaj Vëllaznimit e Borës. Po ashtu, mitrovicasit kanë angazhuar dy basketbollistë të rinj amerikanë së fundi.

Trepça është pjesë e grupit, ku dy fitore i ka vetëm Trieri gjerman.

Në Grupin F, Bashkimi i Prizrenit e ka luajtur vetëm një ndeshje. Në xhiron e parë, Bashkimi fitoi në “Sezai Surroi” ndaj skuadrës Valmiera nga Letonia. Në xhiron e dytë, prizrenasit është dashur të luajnë në udhëtim ndaj Manchesterit. Por për shkak të telasheve me viza të ekipit prizrenas, kjo ndeshje është shtyrë për më vonë. 

Kështu Bashkimi kthehet në FIBA Europe Cup pas dy javësh, me shpresë për kthim edhe te suksesi. Në fundjavë skuadra e portokalltë humbi nga Prishtina në Superligë. 

Bashkimin nuk e pret punë e lehtë në Tallin të Estonisë, ku përballet me skuadrën Bigbank/Kalev. Ndeshja zhvillohet prej orës 18:30. Kalevi fillimisht fitoi 86:78 ndaj Korfezit turk e në xhiron e dytë pësoi 82:74 nga Valmiera në Letoni. Edhe ndeshja e Bashkimit pritet të jetë e fortë dhe e hapur deri në fund.

Dy të parët në secilin grup avancojnë në raundin e dytë të FIBA Europe Cup. Aktualisht si Trepça ashtu edhe Bashkimi duken në pozitë të mirë për të luftuar për këtë sukses. Në fazën grupore janë plot dhjetë xhiro.