Edicioni 2021/2022 ishte i pari i “European North Basketball League”, garës ndërkombëtare për skuadrat e basketbollit. Menjëherë në edicionin e dytë, 2022/2023, Sigal Prishtina u paraqit në këtë ligë. Arriti në plejof, ndërsa u ndal në çerekfinale nga King Szczecin i Polonisë.
Prishtina është dashur të paraqitet në ENBL edhe në edicionin 2023/2024. Por u përjashtua pasi nuk i kreu obligimet financiare.
Prishtina është kthyer në ENBL për edicionin 2025/2026, që tashmë ka nisur. Pjesë e kësaj lige janë plot 26 skuadra të ndara në tri grupe. Pos Prishtinës nga Kosova paraqitet edhe Peja.
Ka skuadra nga Rumania, Gjermania, Britania e Madhe, Letonia, Holanda, Austria, Estonia, Norvegjia, Kroacia, Çekia, Islanda, Sllovakia e disa vende të tjera evropiane.
Sigal Prishtina ndeshjen e parë e luan të mërkurën mbrëma. Nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, Prishtina luan me skuadrën norvegjeze, Gimle Basket.
Peja është në grup tjetër dhe ndeshjen e parë duhet ta luajë më 14 tetor nga ora 19:30 në “Karagaçi”. Do të përballet me skuadrën nga Letonia, Riga Zelli.