Sigal Prishtina dhe Peja i kanë mësuar të hënën kundërshtarët e Ligës ENBL, që është niveli i pestë i garave evropiane për klube të basketbollit.
Për Sigal Prishtinën është hera e dytë që merr pjesë në Ligën ENBL.
Prishtina është në Grupin 2 ku për kundërshtar do të ketë Opavan nga Çekia, Gimle Basketin nga Norvegjia, Brussels Basketball nga Belgjika, Slovan Bratislavan nga Sllovakia, Tindastoll Saudarkrokurin nga Islanda, Keila Coolbetin nga Estonia, Manchester Basketball nga Britania e Madhe dhe kundërshtari i tetë do të jetë një skuadër nga Kroacia, e cila nuk është caktuar ende.
Skuadrat i zhvillojnë tetë ndeshje, katër në shtëpi dhe katër si mysafire.
Prishtina ende nuk ka nisur përgatitjet. Por basketbollisti i rikthyer te Prishtina, Don Polloshka, beson se Prishtina do të arrijë që ta kalojë fazën grupore.
“Ne fillimisht duhet që t’i analizojmë kundërshtarët që i kemi, duhet që t’i shikojmë ndeshjet e tyre. Duhet të synojmë që ta kalojmë grupin. Ndërsa në fazën e grupit shpresojmë që të shkojmë sa më lart”, ka thënë Polloshka të hënën në një përgjigje për KOHËN.
Polloshka te Prishtina u transferua nga Vëllaznimi i Gjakovës. Ai është prej fundorëve më të mirë në basketbollin kosovar. Polloshka ka theksuar se me Prishtinën synon titullin dhe Kupën e Kosovës.
“Ende nuk jemi grumbulluar me skuadrën. Do të grumbullohemi së shpejti. Synimi me Sigal Prishtinën është që t’i fitojmë gjithë trofetë në Kosovë”, u shpreh Polloshka.
Prishtina për herë të parë në ENBL League mori pjesë në edicionin 2022/23.
Në atë edicion, Prishtina nuk arriti që të kualifikohej në fazën grupore të FIBA Europe Cup, që është niveli i katërt i garave evropiane dhe më pas u bart në ENBL.
Në edicionin pasues, Prishtina për shkak të detyrimeve të papaguara financiare u përjashtua nga Liga e Basketbollit të Evropës Veriore.
Ndërkohë për klubin e Pejës do të jetë hera e parë që do të marrë pjesë në këtë garë.
Skuadra pejane do të ketë punë me Riga Zelin nga Letonia, Iraklisin nga Greqia, Newcastle Eaglesin nga Britania e Madhe, Spartak Sleven nga Bullgaria, Olomouckon nga Çekia, Dziki Warszawan nga Polonia, Dubravan nga Kroacia, kurse kundërshtari i tetë nuk është vendosur ende.
Pejën në edicionin e ri do ta udhëheq trajneri Greg Gibson. Ka bërë edhe disa ndryshime në skuadër. Ka ofruar edhe disa basketbollit të huaj.
Liga ENBL është themeluar në vitin 2021. Edicioni është i ndarë në dy grupe. Katër ekipe nga secili grup do të avancojnë në plejof. Çdo ndeshje në fazën çerekfinale luhet në dy ndeshje. Ekipet fituese kualifikohen për turneun “Final Four”. Marrin pjesë 27 skuadra evropiane. Fillon më 23 shtator dhe përfundon në muajin prill të vitit të ardhshëm.
Më herët, kampionia Trepça, ka mësuar kundërshtarin e parë në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Në çerekfinale të rundit kualifikues, Trepça do të përballet me skuadrën e madhe holandeze, Heroes Den Bosch.
Bashkimi në kualifikimet e “FIBA Europe Cup” do të përballet me Anwil Wloclawekin polak.
Bashkimi ka nisur të hënën përgatitjet për edicionin e ri në basketboll.