Në një edicion të vetëm, një klub kosovar u diskualifikua pasi nuk u paraqit për të luajtur dy ndeshje të stinorit të rregullt, ndërsa një klub tjetër u tërhoq pak ditë para ndeshjes së një të tetës së finales.
Dhe tani “European North Basketball League”, e njohur si ENBL, do të ketë kujdes maksimal kur të vendosë për të përfshirë skuadra kosovare të basketbollit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPeja ishte diskualifikuar nga ENBL-ja më 24 janar, pasi nuk kishte luajtur dy ndeshje me Olomouckon e Çekisë.
Ndërkohë të hënën Sigal Prishtina njoftoi se po tërhiqej nga ENBL “si pasojë e obligimeve financiare dhe administrative të papërmbushura ndaj ENBL-së, të cilat janë krijuar nga kryesia e kaluar e klubit”.
Pak javë më parë, te Prishtina mburreshin me suksesin e arritur në ENBL dhe shpalosën pretendimet për sukses në këtë ligë ndërkombëtare. Por po ashtu drejtuesit aktualë njoftuan që klubi ka borxhe ndaj referëve që kanë drejtuar ndeshjet e Prishtinës në ENBL gjatë këtij edicioni.
Në një të tetën e finales, Sigal Prishtina është dashur të luajë një ndeshje me Dinamo Zagrebin në Kroaci, më 12 mars. Tani Dinamo Zagrebi avancon direkt në çerekfinale. Vendimi i Prishtinës është konfirmuar edhe nga ENBL-ja.
Në fakt Prishtina për herë të dytë largohet nga ENBL-ja. Më 29 shtator të vitit 2023, liga veriore evropiane e kishte përjashtuar Sigal Prishtinën për shkak të obligimeve të pakryera. Prishtina ndër të tjera i kishte mbetur ligës borxh për edicionin 2022/2023.
Përgjegjësi për komunikim me media i ENBL-së, Maris Noviks, ka theksuar për KOHËN të martën që tërheqja e Prishtinës do të ketë ndikim në të ardhmen e klubeve kosovare në ENBL.
“Po, tërheqjet do të kenë ndikimin në të ardhmen e klubeve të Kosovës në ENBL. Për të marrë pjesë, klubet do të përballen me kushte më të rrepta financiare”, ka thënë Noviks.
Përgjigje më të gjatë për KOHËN ka dhënë sekretari i përgjithshëm i “European North Basketball League”, Edgars Zanders. Ai ka treguar se me Federatën e Basketbollit të Kosovës raportet janë shumë pozitive, por se kjo nuk ka reflektuar në nivel klubesh.
“Na vjen keq për vendimin e KB Sigal Prishtina për t’u tërhequr nga ENBL. Klubi aktualisht po përballet me një krizë serioze financiare dhe administrative, që është rezultat i menaxhimit joprofesional të fondeve nga udhëheqja e mëparshme. Sipas njohurive tona, fondet e destinuara për operacionet e klubit janë përvetësuar në mënyrë të padrejtë”, ka thënë Zanders.
Ai ka shtuar se gjendja është kritike. Ka thënë se Prishtina nuk ka paguar lojtarët dhe trajnerët dhe nuk gjetur zgjidhje për borxhet ndaj gjyqtarëve të ENBL-së.
Sekretari i përgjithshëm i ENBL-së ka theksuar se do të vazhdohet puna me Prishtinën për të kërkuar zgjidhje konstruktive.
Tri tërheqje nga dy klube kosovare është shumë për ENBL-në. Zanders ka lënë të kuptohet se klubet kosovare kanë borxhe edhe ndaj palëve të tjera.
“ENBL nuk e ka ndërmend t’i përsërisë këto gabime në të ardhmen. Në të ardhmen, ENBL do të shqyrtojë bashkëpunimin me klubet nga Kosova vetëm në kushte të rrepta. Këto kushte përfshijnë shlyerjen e plotë të të gjitha borxheve ndaj ENBL-së dhe klubeve të tjera, një depozitë sigurie dukshëm më të madhe dhe një garanci me shkrim nga Federata e Basketbollit e Kosovës”, ka theksuar Edgars Zanders.
ENBL-ja është themeluar në vitin 2021. Selia e organizatës që udhëheq ligën është në Riga të Letonisë. Deri më tani liga është fituar nga klube të Polonisë, Danimarkës e Rumanisë. Në edicionin aktual pjesë e ENBL-së ishin plot 26 skuadra. Ka pasur klube nga Gjermania, Greqia, Rumania, Kroacia, Britania e Madhe, Islanda, Polonia, Holanda, Çekia, Letonia, Estonia, Sllovakia, Belgjika, Bullgaria, Austria, Norvegjia dhe Kosova. Dhe vetëm dy klubet nga Kosova janë tërhequr pa përfunduar garën.