Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prishtina, mes tensionesh e me përjashtim të kapitenit nga loja, e fiton titullin e 14-të në Rahovec

Ndeshja që nisi si një spektakël i madh, përfundoi pa asnjë tifoz në sallë.

Përballja e katërt e serisë finale të plejofit ndërmjet Rahovecit e Z Mobile Prishtinës, e zhvilluar në palestrën e qytetit të Rahovecit “Mizahir Isma”, përfundoi me fitoren e kryeqytetasve, duke siguruar kështu titullin e 13 nga paslufta (të 14-tin nga viti 1991).

Çereku i parë i ndeshjes u takoi “Vreshtarëve”, duke siguruar epërsi të lehtë prej 4 pikësh ndaj Prishtinës (22:18), por “Plisat” u rikthyen në çerekun e dytë duke e përfunduar pjesën e parë me një epërsi prej 13 pikësh (32:45).

Pjesa e dytë nisi sërish me lojë më të mirë të prishtinasve, por që u përshkua me tensione të larta.

Derisa po shkonte drejt përfundimit çereku i tretë i ndeshjes (29’), pati një përplasje mes lojtarëve të Rahovecit e të Prishtinës, ku i përfshirë ishte kapiteni prishtinas, Edo Azemi.

Edhe Pamje nga incidenti kur tifozi tentoi të grushtonte Edo Azemin Sport Pamje nga incidenti kur tifozi tentoi të grushtonte Edo Azemin

Ai shkaktoi një faul ndaj Deshon Minnisit të Rahovecit, e ky i fundit e goditi atë me top, ndërsa pas këtij incidenti, në palestër u futën edhe disa tifozë rahovecianë që tentuan të sulmojnë mysafirët.

U desh ndërhyrja e zyrtarëve të sigurimit për të qetësuar situatën, ndërsa zyrtarët e ndeshjes i dërguan lojtarët mysafirë në zhveshtore deri në marrjen e vendimit. Vendimi u mor dhe palestra u desh të zbrazet pasi u rrezikua siguria e lojtarëve në parket.

Pas një periudhe prej rreth 30 minutash kur edhe tifozët lëshuan sallën, lojtarët u rikthyen në parket, ndërsa zyrtarët e ndeshjes përjashtuan tre lojtarë. Dy të Rahovecit, numri 10 dhe 5, si dhe kapiteni Edo Azemi i Prishtinës.

Çereku i tretë përfundoi me rezultat 53 me 74 në favor të Prishtinës.

Kur nisi çereku i fundit i ndeshjes, rahovecianët u dukën të pafuqishëm krejtësisht që të bënin diçka e të shpresonin në ndonjë mrekulli të rikthimit të rezultatit.

Edhe Hendboll, Kastrioti një fitore larg titullit Sporte të tjera Hendboll, Kastrioti një fitore larg titullit

Rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 75 me 104 për Prishtinën.

Ky është titulli i 14-të i Prishtinës që nga viti 1991, kur e fitoi titullin e parë. Pastaj vazhdoi më 2002, 2003, 2004, 2006, 2007, 2008, 2009, 2011, 2014, 2015, 2016, 2017 dhe sivjet, 2019.