Sport

Prishtina kërkon të reagojë në ndeshjen ndaj Gjilanit

Pasi nuk arriti të marrë më shumë se një pikë të mërkurën mbrëma në shtëpi, skuadra e Prishtinës synon pikët e plota ndaj Gjilanit, në ndeshjen e xhiros së 15-të të Superligës së Kosovës në futboll. Ndeshja Prishtina – Gjilani zhvillohet të shtunën prej orës 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Të mërkurën Prishtina barazoi 2:2 kundër Trepçës ’89 në ndeshjen e mbetur të xhiros së nëntë. Pika i mjaftoi për t’u ngjitur në pozitën e tretë në tabelë me 22 pikë. Po aq pikë ka edhe Gjilani, që renditet i katërti. Përballja e këtyre skuadrave vlerësohet më interesantja e ditës së shtunë.

Në duelin e parë të këtij sezoni, i cili u pati luajtur në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, Prishtina mori pikë duke luajtur 1:1.

Në kryeqytet dhe me përkrahjen e tifozëve nga tribunat, skuadra e trajnerit Ismet Munishi po synon fitoren e shtatë këtë edicion. Kështu ka thënë mesfushori Albin Prapashtica, të premten. Ai duelin me Gjilanin e ka vlerësuar tejet të vështirë, por ka insistuar se Prishtina do ta kërkojë fitoren.

“Ndeshja kundër Gjilanit do të jetë mjaft e vështirë. Por ne do t’i qasemi lojës me seriozitet maksimal duke e ditur rëndësinë e ndeshjes pasi që nuk duhet që ta humbim hapin për kreun e tabelës. Kundërshtari e ka një ekip solid, mirëpo edhe në këtë takim do të futemi vetëm për fitore. Prishtina funksionin si grup dhe jemi të bashkuar në çdo sfidë, dhe kjo është një ndër gjërat kryesore që e bën ekipin e fuqishëm. Atmosfera para ndeshjes është shumë e mirë. Prezenca e tifozëve ‘Plisat’ në stadium na jep motiv shtesë. Ne i cilësojmë si lojtarin e 12-të në fushë. Me përkrahjen e tyre, fitorja do të arrihet më lehtë”, është shprehur Prapashtica.

Edhe te Gjilani presin përballje të vështirë ndaj Prishtinës, të cilën e vlerësojnë lartë. Mirëpo gjilanasit insistojnë se në kryeqytet do të udhëtojnë për rezultat pozitiv. Gjilani ka regjistruar një barazim dhe një fitore së fundi.

“Është përballje e vështirë, duke marrë parasysh formën e mirë të cilën po e kalon rivali. Por ne do t’i qasemi ndeshjes me angazhim maksimal dhe do të japim më të mirën nga vetja. Po ashtu, presim edhe mbështetjen e tifozëve për ta bërë edhe më madhështor këtë takim”, ka thënë sulmuesi i Gjilanit, Baton Zabërxha

Të shtunën do të zhvillohen edhe dy ndeshje, që startojnë prej orës 13:00. Skuadra e Dukagjinit luan kundër Malishevës në stadiumin “18 Qershori” në Klinë. Dukagjini është i teti në tabelë me 12 pikë, tri më pak se Malisheva, që zë vendin e shtatë dhe në tri ndeshjet e fundit ka tubuar shtatë pikë – ka dy fitore e një barazim. Ndërkohë në Mitrovicë do të përballen Trepça ’89 me Drenicën.

Derbi i kësaj xhiroje do të zhvillohet të dielën.

Në stadiumin me bari sintetik në qytetin e Gjilanit, skuadra e Dritës e pret Ballkanin në ndeshjen që luhet prej orës 13:00. Drita është liderë, por ka tri ndeshje më shumë të zhvilluara se kampioni në fuqi, Ballkani, që të enjten mbrëma e luajti ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.

Superliga – XV

E shtunë

Dukagjini – Malisheva (13:00)

Trepça ’89 – Drenica (13:00)

Prishtina – Gjilani (18:00)

E diel

Drita – Ballkani (13:00)

Llapi – Ferizaj (13:00)


1. Drita 14 9 3 2 27:14 30

2. Ballkani 11 8 2 1 17:7 26

3. Prishtina 13 6 4 3 18:13 22

4. Gjilani 14 6 4 4 14:15 22

5. Drenica 14 4 5 5 15:17 17

6. Llapi 13 4 4 5 18:21 16

7. Maliseva 14 4 3 7 26:22 15

8. Dukagjini 14 3 3 8 11:16 12

9. Trepça ’89 13 2 6 5 23:28 12

10. Ferizaj 14 1 6 7 11:27 9