Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Prej kampit të refugjatëve në Katar – rritja e Mabilit të Australisë

Pas ndeshjes me Real Madridin të enjten mbrëma në “Santiago Bernabeu”, Awer Mabil largohet menjëherë nga skuadra e Cadizit për të udhëtuar drejt Katarit. 27-vjeçari në Katar do të bashkohet me Përfaqësuesen e Australisë për t’u bërë gati për Kampionatin Botëror që nis më 20 nëntor.

Për çdo lojtar do të ishte një moment jashtëzakonisht emocionues. Por për Mabilin, i cili kaloi 10 vjetët e parë të jetës në një kamp refugjatësh, kjo shënon pikën madhështore të një udhëtimi personal të jashtëzakonshëm. Prindërit e Mabilit janë nga Sudani Jugor. Në vitin 1994 ata u larguan nga ish-kolonia britanike e shkatërruar nga lufta për t'u vendosur në Kakuma, një kamp refugjatësh në Keni, i drejtuar nga Kombet e Bashkuara. Awer lindi një vit më vonë dhe e kaloi pjesën më të madhe të fëmijërisë duke luajtur futboll në të vetmen mënyrë të mundshme - këmbëzbathur në fusha të ndyta, me një “top” të bërë nga qeset plastike.

Familja ishte në gjendje të zhvendosej përsëri, këtë herë në Adelaide të Australisë, kur Awer ishte 10 vjeç. Ai shpejt zbuloi se ndjekja e pasionit të fëmijërisë për futbollin - tani duke luajtur me pajisjet e duhura - ishte mënyrë e shkëlqyer për të kapërcyer vështirësitë e komunikimit që fillimisht i kishte hasur gjatë mësimit të anglishtes. Përparimi i tij ishte spektakolar. Pasi luajti për disa skuadra lokale të rinjve si sulmues krahu, ku shënonte vazhdimisht gola, ai iu bashkua skuadrës gjysmëprofesionale Campbelltown City, duke bërë debutimin në moshën 16-vjeçare. Dhe pas disa ndeshjeve mbresëlënëse u rrëmbye shpejt nga Adelaide United.

Mabil vazhdoi të shkëlqejë në A-League, duke treguar ritëm dhe aftësi të shkëlqyera në krah. U shqua me harkime, kurse shënoi shtatë gola në 24 paraqitje gjatë edicionit 2014/15, ndërsa ende ishte vetëm adoleshent. Skautët nga jashtë u njoftuan për talentin dhe në qershor të vitit 2015 ai u transferua në klubin danez Midtjylland, ku fillimisht u përpoq të fitonte minutazhë për të luajtur. U huazua te Esbjergu - gjithashtu në Danimarkë - dhe skuadra portugeze Pacos de Ferreira.

Viti i tij i përparimit ishte 2018-a, me Mabilin që u kthye në Midtjylland për t'u bërë titullar i rregullt dhe gjithashtu fitoi ftesën e parë për Përfaqësuesen e Australisë. Shënoi në debutim kundër Kuvajtit. Ai mbeti lojtar kyç për klubin dhe përfaqësuesen, duke u paraqitur në Ligën e Kampionëve pasi ndihmoi Midtjyllandin të fitonte kupën daneze në vitin 2019 dhe më pas titullin e ligës në vitin 2020. Mabili kontribuoi me tetë gola dhe gjashtë asistime.

Përpjekjet në fushë po jepnin shembull frymëzues për ata që shpresonin të ndiqnin gjurmët e tij dhe Mabil gjeti gjithashtu kohë për të bërë një ndryshim praktik në jetën e refugjatëve të tjerë duke bashkëthemeluar - me vëllain e tij Bul – organizatën bamirëse “Barefoot to Boots”. Organizata vepron në kampin Kakuma që dikur ishte shtëpia e tij, duke ofruar arsim, kujdes shëndetësor dhe mundësi për barazi gjinore. Fokusin kryesor e ka në futboll. Organizata bamirëse drejtohet nga Ian Smith, anëtar bordi në ish-klubin e tij Adelaide United, i cili shprehu admirimin e thellë për sulmuesin e krahut kur tregoi për ndikimin që ai ka mbi banorët e kampit të refugjatëve.

“Kur ata shohin një të ri të arrijë atë që Awer ka bërë, kjo i bën ëndrrat e tyre realitet”, tha Smith. “Është një rrugëdalje, është një rrugë përpara. Nuk mund ta nënvlerësoni rëndësinë e saj. Ai është një djalë i ri i jashtëzakonshëm. Ai ka guximin e një luani dhe zemrën e një engjëlli”.

Edhe Refugjati afrikan që e dërgoi Australinë në Botëror Sport 4 v. më parë Refugjati afrikan që e dërgoi Australinë në Botëror

Mabil e tregoi atë guxim në qershor, kur Australia u përball me Perunë në finalen kualifikuese ndërkontinentale për një vend në Botërorin e Katarit. Një lojë e tensionuar dhe pa gola shkoi në penallti, dhe Mabil doli vullnetar për gjuajtjen e fundit të cilën e realizoi për ta konfirmuar kualifikimin e Australisë në Botërorin “Katari 2022”. Disa javë më vonë karriera e Mabil shkoi një hap të madh përpara, kur ai nënshkroi kontratë katërvjeçare me Cadizin, ekip që po rindërtohej pasi i shpëtoi rënies nga La Liga në ditën e fundit të sezonit.

Muajt ​e parë në La Liga nuk kanë qenë të lehtë. Mabil fitoi hapësirë në javët e para të sezonit, por Cadizi humbi pesë ndeshjet e para dhe ai mbeti prapa transferimeve të reja Brian Ocampo dhe Theo Bongonda. Dhe tani, me përmirësimin e rezultateve, ai është inkuadruar vetëm një herë nga banka e rezervistëve që nga shtatori.

Me gjithë mungesën e minutazhës, Mabil do të jetë i freskët dhe i aftë për të përfaqësuar Australinë me krenari në Katar, duke shtuar një kapitull tjetër të paharrueshëm në udhëtimin e jashtëzakonshëm.