Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Lojtarët me shtetësi të dyfishtë përballen me vendim të vështirë

lojtaret

Pothuajse çdo ndeshje e Kupës së Botës ka një histori të një lojtari që mund të kishte përfaqësuar një vend tjetër.

Merrni shembullin e Folarin Balogun, që shënoi dy gola në fitoren e SHBA-së ndaj Paraguait. Ai zgjodhi të luante për SHBA-në ku u lind, në vend se të vendoste për Anglinë ku u rrit. Apo Nigerinë, prej nga janë prindërit e tij.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Yasin Ayari e zgjodhi Suedinë në vend të Tunizisë, ku e ka vendlindjen babai i tij. Vendimi i Ayarit u bë i dukshëm kur Suedia mposhti pikërisht Tunizinë, 5:1. Dhe dy gola i shënoi Ayari.

Ka bërë bujë edhe rasti i Ayyoub Bouaddi. 18-vjeçari kaloi nga Franca te Maroku disa javë para se të niste Botërori.

Kupa e Botës në SHBA, Meksikë e Kanada është pika më e lartë e diversitetit në histori të kësaj ngjarjeje. Dekada migrimi pasqyrohen në listat e ekipeve të mëdha evropiane si Franca, Anglia dhe Gjermania. Ndërkohë shumë ekipe në Afrikë dhe në Karaibe mbështeten kryesisht në diasporën që kanë. Këtë e ka mundësuar zbutja e rregullave të FIFA-s.

Dhjetëra, nëse jo qindra, lojtarë në këtë Botëror po luajnë për vend tjetër prej atij në të cilin janë të lindur. Shumë lojtarë me prejardhje “të përzier” ndërruan përfaqësuese kur arritën në nivelin e të rriturve. Disa ndjekën zemrën e tyre e shumë ambicien.

Lojtarët nga Franca janë kudo

Pothuajse 100 futbollistë në këtë Botëror janë të lindur në Francë. Por vetëm 26 prej tyre luajnë për Francën. Të tjerët janë pjesë e rëndësishme e përfaqësueseve si Algjeria, Kepi i Gjelbër, Kongo, Gana, Haiti, Bregu i Fildishtë, Maroku dhe Tunizia.

Janë lojtarë të lindur në Francë, por me prejardhje nga këto vende.

Bouaddi, njëri prej më të mirëve në barazimin 1:1 të Marokut me Brazilin, është i lindur në Francë dhe u rrit te skuadra Lille. Ai luajti për Francën në nivelin e të rinjve dhe ishte kapiten i Francës U21 deri në mars. Por kaloi te Maroku, prej nga e ka familjen, pikërisht në kohë për Kupën e Botës.

“Jam shumë krenar për vendimin dhe shumë i lumtur që përfaqësoj vendin tim, Marokun”, tha ai. “Familja ime është e lumtur dhe shpresoj që gjëra të mëdha do të ndodhin në garat e ardhshme”.

Presidenti i Federatës marokene të futbollit, Faouzi Lekjaa, e vizitoi personalisht Bouaddin në shtëpinë e tij. U takua me presidentin e Lillet për të prezantuar ambiciet futbollistike të vendit afrikan, si dhe mjedisin profesional që e ofrojnë për Bouaddin.

Maroku u bë përfaqësuesja e parë afrikane që arriti në gjysmëfinale të Botërorit, në vitin 2022. Ky vend mbështetet shumë në lojtarë nga diaspora marokene në Spanjë, Francë, Belgjikë dhe Holandë. 19 prej lojtarëve të Marokut në Botëror janë të lindur jashtë këtij vendi.

Ylli Achraf Hakimi është i lindur në Madrid, kurse sulmuesi Brahim Diaz kishte një ndeshje për Spanjën para se kalimi te Maroku në vitin 2024 të miratohej nga FIFA.

Zgjedhje komplekse për fëmijët e emigrantëve

Disa prej emrave shumë të mëdhenj të futbollit duhej të bënin një zgjedhje. Kylian Mbappe mund të luante për Kamerunin apo Algjerinë, për shkak të prejardhjes familjare. Por zgjodhi Francën ku lindi dhe u rrit. Lamine Yamal mund të kishte luajtur për Marokun, por vendosi për Spanjën.

Vëllezërit Desire dhe Guela Doue ndoqën rrugë të ndryshme. Të lindur në Francë, Desire luan për “trekolorët” kurse Guela zgjodhi të përfaqësonte Bregun e Fildishtë, nga është babai i tyre. Në fakt ka të bëjë shumë edhe me faktin nëse lojtarët janë atraktivë për përfaqësueset e mëdha evropiane. Disa që kalojnë te përfaqësueset e tjera janë, por shumica jo.

Janë edhe dy raste të tjera kur vëllezërit luajnë në përfaqësuese të ndryshme në këtë Botëror. John Souttar përfaqëson Skocinë, ndërsa vëllai i tij, Harry, luan për Australinë. Nico dhe Inaki Williams janë të lindur në Spanjë. Kanë prindër ganezë. Nico zgjodhi të luante për Spanjën, kurse Inaki luan për Ganën.

Tunizia u përpoq të afronte Ayarin, mesfushorin e Suedisë që luan për Brightonin në Premier League. Babai i tij është nga Tunizia. Por pikërisht ai kundërshtoi. Ai u tha mediave suedeze se djali i tij duhet të përfaqësojnte vendin në të cilin lindi dhe u rrit.

“Unë jam emigrant, por fëmijët e mi jo. Yasini është suedez me prejardhje tuniziane”, tha Azzouz Ayari për “Aftonbladet”.

Tifozët e Suedisë duhet të jenë të lumtur për këtë vendim. Ai tashmë është prej lojtarëve cilësorë në përfaqësuesen suedeze.

Edhe Balogun u bë i njohur kur shënoi dy gola për SHBA-në ndaj Paraguait. Ai luajti për Anglinë në nivelin e të rinjve. Kaloi te SHBA-ja në vitin 2023. Ai lindi në New York, gjatë një vizite të prindërve të tij nga Nigeria. Dhe kjo e kualifikoi për të luajtur për SHBA-në.

Balogun përmendi pasionin e tifozëve amerikanë që e përjetoi gjatë vizitës në një kamp stërvitor në Florida, në mars 2023, si pjesë të arsyes pse vendosi për SHBA-në. Kur mësuan se ai ishte në Florida, shumë tifozë i kërkuan të luante për ekipin amerikan. Balogun po ashtu takoi drejtuesit e përfaqësueses amerikane.

“Dua vetëm  t’u tregoj tifozëve se mora vendimin e duhur”, ka theksuar Balogun.

Është e diskutueshme nëse ai do të kishte vend në ekipin shumë garues të Anglisë. Ish-selektori i Anglisë, Gareth Southgate, kishte theksuar se po e monitoronte progresin e Balogunit, por se nuk mund të premtonte asgjë. Pra as vend në ekip.

Ndërhyrja e FIFA-s

Ndërrimi i përfaqësueseve nuk është ndonjë gjë e re në futboll. Disa nga yjet më të mëdhenj të sportit kanë luajtur për vende të shumta përfshirë Ferenc Pushkashin i cili udhëhoqi Hungarinë në vitin 1950, kurse luajti për Spanjën në Kupën e Botës 1962.

Ajo skuadër e Spanjës përfshinte edhe shokun e skuadrës të Pushkashit te Real Madridi, Alfredo Di Stefano, karriera ndërkombëtare e të cilit nisi në Argjentinën e lindjes.

Në futbollin modern, FIFA ndërhyri në vitin 2004, mes shqetësimeve se lojtarët brazilianë po natyralizoheshin shumë lehtë nga vende të tjera, përfshirë Katarin.

U këmbëngul për një “lidhje të qartë” me vendin. Kjo mund të ishte dy vjet qëndrimi në atë vend, apo njëri gjysh i lindur në vendin ku lojtari donte të kalonte.

Sepp Blatter, president i atëhershëm i FIFA-s, kishte insistuar që ajo praktikë të ndalej, duke theksuar se prej 32 ekipeve në Botërorë, 16 do të jenë me plot brazilianë në përbërje.

Në vitin 2008 u vendos që lojtari më i ri se 18 vjet mund të ndryshojë përfaqësuese nëse ka qëndruar pesë vjet në vendin e përfaqësueses ku dëshiron të kalojë.

Ndryshime të tjera në rregullore janë bërë. Lojtari që luante ndeshje zyrtare me një përfaqësuese A nuk mund të ndryshonte përfaqësuese. Por kjo nuk vlente për ndeshje miqësore dhe paraqitje me grupmoshat e reja.

FIFA lehtësoi rregullat në vitin 2020, për të lejuar më shumë ndryshime. Por lojtarët janë të lidhur me një vend nëse luajnë në një turne final të Kupës së Botës apo në kampionat kontinental.