Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Refugjati afrikan që e dërgoi Australinë në Botëror

Awer Mabil tha se realizimi i penalltisë vendimtare për Australinë ishte një falënderim për vendin që pranoi familjen e tij, pasi ajo u largua nga Sudani Jugor, shkruan BBC të martën.

26-vjeçari shënoi penalltinë e gjashtë të Australisë kundër Perusë, përpara se të shikonte portierin Andrew Redmayne që ta priste heroikisht penalltinë e fundit të amerikano-jugorëve. Fitorja me penallti, të hënën mbrëma në Katar, bëri që Australia të kualifikohej për të pestën herë radhazi në Kampionatin Botëror dhe që Mabil të përfundonte një udhëtim të jashtëzakonshëm nga një kamp refugjatësh në Keni për në ngjarjen globale të futbollit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Australia e mposhti Perunë 5:4 pas penalltive, pasi koha e rregullt dhe dy vazhdimet nga 15 minuta përfunduan pa gola.

“E dija se do të shënoja. Ishte e vetmja mënyrë për t'i thënë faleminderit Australisë në emër të familjes sime”, pranoi sulmuesi i krahut.

Mabil lindi në një kamp refugjatësh në Keni, pasi prindërit e tij ikën nga konflikti në Sudanin Jugor. Jeta për Mabilin si fëmijë në kamp nuk ishte aspak e lehtë, duke mbijetuar me një vakt ushqimi në ditë dhe duke shkelmuar një top për të kaluar kohën. Pasi u zhvendos në Australi në vitin 2006, ai u zhvillua mjaftueshëm si futbollist për t’u bashkuar me ekipin Adelaide United si adoleshent dhe më pas u transferua te FC Midtjylland në Danimarkë. Aktualisht ai është i huazuar te klubi turk Kasimpasha.

“Kam lindur në një kasolle, një kasolle shumë të vogël. Dhoma ime e hotelit këtu është pa dyshim më e madhe se kasollja që kishim si familje në atë kamp refugjatësh”, tha ai. “Australia i dha një mundësi familjes sime për jetë. Na pranoi, sepse kishim kushte tejet të vështira në kampin e refugjatëve në Keni. Nuk ishte aspak lehtë dhe me zhvendosjen në Australi mund të them se siguruam jetën”.

Krejt çka mundi Mabil të bëjë për Australinë ishte ta ndihmojë Përfaqësuesen e këtij vendi të sigurojë pjesëmarrjen në botërorin “Katari 2022”, që nis në nëntor. Në Botëror, Australia do të jetë pjesë e Grupit D së bashku me Francën, Danimarkën e Tunizinë. Ndeshjen e parë në ngjarjen e madhe Australia do ta luajë me Francën, që është kampione në fuqi, më 22 nëntor.

“Gjithmonë kam dashur t’i falënderohem Australisë për mundësinë që i dha familjes sime dhe këtë arrita ta bëj duke e shënuar penalltinë e fundit, e cila siguroi pjesëmarrjen në Botëror. As që e kam paramenduar se një ditë do ta përfaqësoj Australinë në këtë ngjarje të madhe, por premtoj se do të jap gjithçka nga vetja për rezultate të mira”, u shpreh Mabil.

Mabil ka qenë titullar i padiskutueshëm te Australia nën përzgjedhësin Graham Arnold dhe tha se shpreson që ky rrëfim i tij të jetë frymëzim për refugjatët e tjerë.

“Unë shënova, shumë nga shokët e mi të skuadrës shënuan, të gjithë luajtën një rol të rëndësishëm në këtë arritje dhe ndoshta si fëmijë refugjati kam arritur të jem shembull për të tjerët”.

Vëllai i Mabilit, Awer Bul, zbuloi për mediumet australiane se familja ishte e pushtuar nga emocionet e gëzimit kur Australia e siguroi kalimin në Botëror me fitoren ndaj Perusë.

“Të jesh një djalë i lindur në një kamp refugjatësh dhe të shënosh një gol vendimtar është diçka e jashtëzakonshme. Ishte një moment mjaft emocionues për komunitetin tonë. Vetëm ta shohësh atë të ecë atje për ekipin australian na jep një ndjenjë pozitive”, pranoi Awer Bul.