Sport

Plani i Bayernit me Ibrahimoviqin e Kosovës

Është ende vetëm 16-vjeçar, por tashmë është emër jo pak i njohur te gjiganti gjerman i futbollit, Bayerni.

Arijon Ibrahimoviq, talenti me prejardhje nga Kosova, në fillim të vitit ishte grumbulluar për një ndeshje të Bundesligës, pasi Bayerni kishte shumë lojtarë me koronavirus. Ai ka zhvilluar disa stërvitje me ekipin e parë të Bayernit, por ndërkohë është kthyer në ekipin U-19.

Sajti i njohur gjerman, “sport1.de”, ka shkruar së fundi për planet e Bayernit me Ibrahimoviqin, sulmuesin e U17 të Gjermanisë. Ibrahimoviqi kosovar ka shtatë gola në shtatë paraqitje me U17 të Gjermanisë. I ka edhe dy ndeshje me U16 të Gjermanisë.

Ai ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2024, por skuadra të mëdha evropiane kanë shprehur interesim tashmë.

“Cilat janë gjasat e Ibrahimoviqit te Bayerni? Periudha e shkurtër te profesionistët ka qenë përvojë shumë e rëndësishme e mësimit për lojtarin nga Nuernbergu. ‘Sport1’ mëson se Ibrahimoviqi është i vendosur që të stabilizohet te Bayerni. Në mënyrë që Ibrahimoviqi të arrijë synimin e madh, klubi ende duhet të bëjë disa hapa për zhvillimin e tij, fillimisht te U19 e më pas te U23. Pra Ibrahimoviq nuk është shumë larg me Paul Wanner, që tashmë ka debutuar në Bundesligë”, ka shkruar sajti gjerman.

“Sipas informatave të ‘Sport1’, klube nga Gjermania dhe vende të tjera, duke përfshirë RB Salzburgun, kanë shprehur interesim për Ibrahimoviqin. Bayerni nuk ka plane për ta dërguar diku tjetër. Por një huazim do të ishte hap i logjikshëm që i riu t’i bëjë paraqitjet e para profesionale. Dihet që konkurrenca për një vend në sulmin e Bayernit është shumë e madhe”, ka shkruar “sport1.de”.

Ibrahimoviq muaj më parë kishte konfirmuar për KOHËN se është me prejardhje nga Kosova.