Mediumi i madh gjerman, Kicker, ia ka kushtuar një shkrim të hënën talentit me prejardhje nga Kosova, Arijon Ibrahimoviq. 17-vjeçari po zhvillohet te gjiganti gjerman Bayern, ndërsa në Bundesligë debutoi të shtunën ndaj Bochumit. Hyri në lojë në minutën e 77-të në vend të Leroy Sane, për t’u bërë lojtari i dytë më i ri i Bayernit që luan në Bundesligë.
“Bayernit i bashkohet Ibrahimoviqi. Disa vjet më pas një titull i tillë do të ishte sensacion. Ylli botëror Zlatan nuk e ka veshur ndonjëherë fanellën e Bayernit. Arijoni, që ka mbiemër të njëjtë, ka debutuar në Bundesligë në fitoren 3:0 ndaj Bochumit, si lojtari i dytë më i ri i të gjitha kohërave te Bayerni”, ka shkruar Kicker.
Sipas mediumit gjerman, ndonëse loja ishte vendosur kur Ibrahimoviqi hyri në fushë, ai është kujdesur që të lërë përshtypje të mirë. Madje ishte fare pranë që të shënojë gol, sikur portieri i Bochumit të mos intervenonte mjeshtërisht.
Arijoni u shfaq mirë, ndërsa e mori fanellën në shtëpi që ta mbajë si kujtim nga ndeshja e parë në elitën gjermane.
“Me 17 vjet e dy muaj, Ibrahimoviq për pak nuk është lojtari më i ri i Bayernit që debuton në Bundesligë. Është i dyti. Vetëm Paul Wanner ishte më i ri se ai kur një vit më parë debutoi ndaj Borussia Moenchengladbachut. Wanner qëndroi në stol të shtunën. Vetëm më 17 janar kampioni gjerman njoftoi se ka vazhduar kontratën me Arijon Ibrahimoviqin deri në vitin 2025”, shkruar tutje Kicker.
Ibrahimoviq është me prejardhje nga Prizreni, ndërsa te Bayerni është zhvilluar prej vitit 2018. Më herët ishte te Nuernbergu.
Me ekipin e parë të Bayernit ishte në kamp në Doha, para fillimit të stinorit pranveror. Kishte shënuar gol në barazimin 4:4 me RB Salzburgun.
Ai ka shënuar nëntë gola në 12 paraqitje për Gjermaninë U17 dhe dy gola në gjashtë ndeshje për Gjermaninë U18.
Arijon Ibrahimoviqin e presin edhe shumë vjet zhvillim te Bayerni. Por starti i suksesshëm jep shpresë se ai një ditë do të jetë lojtar i rëndësishëm te gjiganti gjerman i futbollit.