Sport

Kosovari Ibrahimoviq: Talenti i Bayernit me të ardhme të ndritur

Arijon Ibrahimoviq

Mesfushori ofensiv që ka vetëm 16 vjet po konsiderohet një nga talentet më të ndritur të futbollit gjerman, derisa është në pritje të debutimit për ekipin e parë. Nëpërmjet zhvillimit nga mosha e hershme apo blerjes së adoleshentëve në prag të fazës për të qenë gati për aksion me ekipin e parë, Bayern Muencheni ka ngritur nivelin kur vjen puna për t'u dhënë të rinjve një shans në nivelin elitar.

Lojtarë si Jamal Musiala, Mathys Tel dhe Paul Wanner kanë thyer të gjitha rekordet si lojtarët ose golashënuesit më të rinj në historinë e shquar të Bayernit, gjatë tri sezoneve të fundit. Dhe ata nuk do të jenë adoleshentët e fundit me ndikim në ekipin e parë gjatë viteve të ardhshme. Një emër për të pasur parasysh është Arijon Ibrahimoviq, i cili ka qenë fantastik në futbollin e të rinjve në Gjermani për disa vjet dhe tani pritet të bëjë emër edhe në nivelin e seniorëve.

Ku nisi e gjitha

Përpara se të arrijmë se si filloi karriera futbollistike e Ibrahimoviqit, le të merremi me futbollistin kryesor që e mban mbiemrin Ibrajhimoviq.

Jo, ai nuk ka lidhje me Zlatan Ibrahimoviq. Kuptohet? Epo, atëherë le të vazhdojmë. Arijoni ka lindur në Nuremburg nga prindër kosovarë dhe kaloi një kohë në akademitë e Greuther Fuerthit dhe Nurnbergut përpara se t'i bashkohej Bayernit në moshën 12-vjeçare në vitin 2018. Qartë një nivel mbi shumicën e lojtarëve të moshës së tij, Ibrahimoviq së shpejti u testua kundër lojtarëve që ishin dy ose tre vjet më të mëdhenj se ai. Debutimin tek ekipi U19 e bëri si 15-vjeçar, në gusht të vitit 2021. Atij iu nevojitën më pak se tri ndeshje në atë nivel për ta shënuar golin e parë prej shtatë sa i realizoi në 25 ndeshjet që i luajti për ekipin U19 të Bayernit në edicionin 2021/22. Dha edhe 14 asistime.

Shpërthimi i madh

Megjithëse i njohur në mesin e tifozëve të Bayern Muenchenit dhe atyre që ndjekin skuadrat e grupmoshave të Gjermanisë, Ibrahimoviqi erdhi në vëmendje më të gjerë në janar të këtij viti kur së bashku me shokun 16-vjeçar, Paul Wanner, u kthyen me nxitim nga një kamp trajnimi ndërkombëtar në Spanjë për t'iu bashkuar skuadrës së parë të Bayernit. Skuadra e Julian Nagelsmann u rikthye nga pushimet dimërore me një ekip që u shkatërrua, me lojtarë që u detyruan të karantinohen pas testeve pozitive të Covid-19 dhe kështu kishte nevojë për përforcime. Ibrahimoviqi kishte rënë tashmë në sy të menaxherit të ekipit të parë kur stërvitej me skuadrën gjatë fazës parasezonale dhe ishte në stol kundër Borussia Moenchengladbachut. Ndryshe nga Wanner, i cili u bë lojtari më i ri që luajti për Bayernin në histori, Ibrahimoviqi nuk kishte asnjë minutë në dispozicion. Por përfshirja në skuadër shërbeu si dëshmi se sa shumë mendohet për të në “Allianz Arena”.

Në pritje të rastit

Ibrahimoviq është ende në pritje të një mundësie tjetër për ta futur veten në planet e trajnerit Nagelsmann. Por për momentin ai po bën gjithçka në mënyrën më të mirë për të dëshmuar se është gati për ekipin e parë. Deri më tani këtë sezon ka shënuar nëntë gola dhe ka dhënë katër asistime në dhjetë ndeshje për ekipin U19-të të Bayernit. Në ligë i ka shtatë gola dhe është golashënuesi më i mirë në divizionin e tyre rajonal, pavarësisht se është lojtari i tretë më i ri në ekip. Ai ka debutuar edhe për rezervat e Bayernit, që luajnë në divizionin e katërt të futbollit gjerman. Ka debutuar edhe për Përfaqësuesen U18 të Gjermanisë, për të cilën shënoi në debutim kundër Çekisë.

Pikat më të forta

Ibrahimoviq është një mesfushor sulmues edhe pse ka qenë i njohur për lojën në krah. Në disa raste luajti si sulmues i ngarkuar me detyra për të bërë vrapime diagonale në zonën e penalltisë. Forca e tij kryesore qëndron në kontrollin e topit, me aftësinë e driblimit veçanërisht elegant. Bilanci i tij mbresëlënës i golave ilustron aftësinë e shkëlqyer në gjuajtje, me vrapimet në zonë që e bëjnë një makth për mbrojtësit.

“Ai është një futbollist që ka instinkt”, thotë Holger Seitz, drejtor i Akademisë së Bayernit, kur flet për Ibrahimoviqin. “Ai ka aftësi të shkëlqyera teknike dhe një kuptim shumë të mirë të lojës. Kur luan shpesh i duhet vetëm një prekje për ta mbajtur lojën në lëvizje. Lidhur me këtë ai ka shpejtësi të jashtëzakonshme të mendimit dhe veprimit. Ai sjell shumë dinamizëm në duele dhe është i shkëlqyer kur gjuan”.

Hapësira për përmirësim, Goretzka i ardhshëm

Përveç zhvillimeve të dukshme fizike për të cilat shumica e futbollistëve të rinj kanë nevojë kur bëjnë hapin drejt seniorëve, Ibrahimoviq është goxha i kompletuar si numër 10 nga pikëpamja sulmuese. Ka disa gjëra për t’i përmirësuar në lidhje me veprimet e tij mbrojtëse. Seitz thekson: “Ka ende vend për përmirësim në drejtim të gjurmimit të tij kur kundërshtarët nisin një sulm”.

Ibrahimoviq është krahasuar me Leon Goretzkan dhe me Thomas Muellerin, në disa raste, megjithëse shumë nga këto ngjashmëri bazohen në pozicionin dhe jo në stilin e përgjithshëm të lojës. Me vetëm 176 centimetra, Ibrahimoviq është shumë më i shkurtër se secili lojtar i ekipit të parë të Bayernit dhe ai e përdor mirë atë qendër të ulët të gravitetit. Ndoshta më shumë përshtatet me mënyrën se si luan Phil Foden ose një Wayne Rooney i ri. Të dy anglezët e përdorin trupin për t’i mashtruar kundërshtarët, sikurse Ibrahimoviqi. Vlerësimet “Zlatani i ri” ka të ngjarë të bëhen gjithashtu realitet edhe nëse janë lojtarë krejtësisht të ndryshëm. Arijoni e vlerëson suedezin legjendar si një nga ikonat e tij të futbollit.

Çka pritet në të ardhmen?

Edhe pse nuk do të mbush 17 vjet deri në mes të muajit dhjetorit, Ibrahimoviqi është ambicioz dhe i etur për të nisur karrierën e tij me ekipin e parë të Bayernit në rastin e parë që do t’i jepet. Vendet në skuadrën e trajnerit Nagelsmann janë të vështira për t'u gjetur. Kjo është arsyeja pse Bayerni kohët e fundit ka ndryshuar disi strategjinë dhe ka filluar të huazojë shumë nga lojtarët e rinj për të luajtur futboll të nivelit të lartë diku tjetër, në vend që të zhvillohen vetëm në nivelin e grupmoshave dhe në divizionin e katërt me ekipin e rezervave. Ditët e fundit janë shfaqur raporte që pretendojnë se Ibrahimoviqi është i prirë të largohet përgjithmonë nga Bayerni nëse ai nuk ka shanse për ekipin e parë së shpejti. Red Bull Salzburgu është favorit për nënshkrimin e tij. Por, tani për tani Bayerni nuk dëshiron të humbasë një nga “gurët e çmuar” të Akademisë.