Përfaqësuesja e Kosovës ka gjashtë vjet që luan ndeshje ndërkombëtare, fillimisht falë lejes së FIFA-s e më pas si anëtare e saj dhe e UEFA-s. Dhe për këta gjashtë vjet, që rrumbullakohen në marsin e vitit të ardhshëm, Kosova ka luajtur 37 ndeshje, miqësore e eliminatore. E kontributi i futbollistëve të Superligës është vetëm 252 minuta lojë. E ata që kanë pasur fatin të përfitojnë janë aktivizuar në katër ndeshje miqësore.
Kampion në këtë statistikë është portieri Kushtrim Mushica me 169 minuta lojë në dy ndeshje. Pa të, i bie që lojtarët e Superligës i kanë luajtur vetëm 83 minuta, shkruan sot Koha Ditore.
E gjithë kjo pritet të ndryshojë më 12 janar, kur Kosova do të luajë ndeshje miqësore me Suedinë në Katar. Meqë është ndeshje jashtë datave të lira të caktuara nga FIFA, atëherë Kosova do ta ketë të pamundur të ftojë lojtarët që bëjnë karrierë në Evropë, për çka duhet të koncentrohet në lojtarë të Superligës dhe në ata që luajnë në Skandinavi, ku në këtë kohë është pushimi mes dy kampionateve.
“Ndeshja me Suedinë mund të jetë një test shumë i mirë për futbollistët e Superligës”, ka thënë trajneri Afrim Tovërlani.
Herën e fundit që një futbollist i Superligës ka luajtur te Kosova ishte para dy vjetësh. Në ndeshjen miqësore ndërmjet Kosovës dhe Letonisë, të zhvilluar në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, u aktivizua mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi. Ai ishte pjesë e Gjilanit atëbotë dhe luajti nga minuta e 83-të. Kosova kishte fituar atë ndeshje 4:3 dhe nga aty pati nisur një seri e gjatë pa humbje, natyrisht pa ndihmën e lojtarëve të Superligës. Pos Thaqit, në atë ndeshje për 22 minuta ka luajtur edhe portieri Bledar Hajdini që zëvendësoi kapitenin Samir Ujkani.
Pas asaj ndeshjeje, i vetmi që është ftuar te Kosova nga Superliga është portieri i Prishtinës, Visar Bekaj, që mbetet zgjidhja e tretë për portën. Bekaj ka vetëm një paraqitje me Kosovën, saktësisht një minutë lojë. Ai u pati inkuadruar në minutën e fundit të miqësores Kosovë - Shqipëri, e zhvilluar më 13 nëntor 2015 në Prishtinë. Kjo ndeshje pati përfunduar pa fitues – 2:2.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)