Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të dielën pasdite e ka mbajtur seancën e parë stërvitore para dy ndeshjeve miqësore që do t’i zhvillojë këtë muaj.
Kosova ndeshjen e parë e zhvillon më 6 qershor ndaj Armenisë, kurse tri ditë më pas luan me Përfaqësuesen e Komoreve. Të dy miqësoret zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Selektori Franco Foda, në stërvitjen e mbajtur në kampion nacional të FFK-së në Hajvali, i kishte në dispozicion 21 futbollistë.
Qendërmbrojtësi Ismajl Beka, i cili u kthye në përfaqësuese pas një kohe të gjatë, shpreson që t’i fitojnë të dy miqësoret.
“Jam shumë i lumtur për ftesën. Seanca e parë stërvitore ka shkuar shumë mirë. Jemi duke u stërvitur mirë, atmosfera është pozitive. Jemi shumë të motivuar, e dimë se çfarë kualiteti e kemi dhe këtë e kemi treguar edhe ndaj Islandës kur u promovuam në Ligën B të Ligës së Kombeve. Shpresojmë që do t’i fitojmë të dy ndeshjet miqësore. Synojmë rezultate pozitive”, është shprehur Beka për faqen zyrtare të FFK-së. Ai luan në Zvicër.
Pas një kohe të gjatë te Kosova është kthyer edhe futbollisti i Clujit rumun, Meriton Korenica.
28-vjeçari thotë se dy ndeshjet janë të rëndësishme që përfaqësuesja të jetë sa më e përgatitur për kualifikimet e Kupës së Botës.
“Jam shumë i lumtur që jam përsëri pjesë e Kosovës. Shpresoj që në këto dy ndeshje ta japim maksimumin. Gjithmonë do të jap maksimumin dhe do të jem i gatshëm për Përfaqësuesen e Kosovës. Shpresojë që edhe te Kosova do të vazhdoj kontinuitetin që e kam pasur në klub. Do t’i kemi dy ndeshje miqësore dhe shpresoj që në këto dy ndeshje të motivohemi edhe më shumë. Për çdo lojtar janë të rëndësishme ndeshjet, që në muajin shtator kur i kemi ndeshjet kualifikuese të japim maksimumin. Shpresoj që në këto dy ndeshje çdo lojtar të jetë i gatshëm dhe të jap gjithçka nga vetja për Kosovën sepse i kemi borxh shtetit tonë”, ka deklaruar Korenica.
Nën urdhrat e përzgjedhësit Foda të dielën ishin Amir Shaipi, Visaj Bekaj, Faton Maloku, Mërgim Vojvoda, Ilir Krasniqi, Ismajl Beka, Donat Rrudhani, Dion Gallapeni, Ermal Krasniqi, Muharrem Jashari, Vesel Demaku, Elvis Rexhbeçaj, Lindon Emërllahu, Bledian Krasniqi, Baton Zabërgja, Meriton Korenica, Florian Haxha, Florent Muslija, Albion Rrahmani, Fisnik Asllani dhe Kreshnik Hajrizi.
Munguan Florent Hadërgjonaj, Lumbardh Dellova, Leart Paqarada dhe Ismet Lushaku. Katër futbollistët kanë qëndruar në hotel dhe janë stërvitur individualisht.
Te “Dardanët” mungojnë lojtarët më të rëndësishëm si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Milot Rashica, Arijanet Muriq e disa të tjerë.