Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i ka vazhduar stërvitjet para ndeshjeve me Armeninë dhe me Komoret.
Të dyja miqësoret Kosova i luan në stadiumin “Fadil Vokrri”. “Dardanët” të premten luajnë me Armeninë, kurse tri ditë më pas ballafaqohen me Përfaqësuesen e Komoreve.
Në stërvitjen e së hënës, në kampin nacional të FFK-së në Hajvali, kanë munguar qendërmbrojtësi Ismajl Beka dhe portieri Amir Shaipi.
Beka ka pësuar lëndim të lehtë të dielën, kurse Shaipi nuk është stërvitur për shkaqe shëndetësore.
Pjesë e stërvitjes ishin dy debutuesit, mesfushorët Bledian Krasniqi dhe Florian Haxha.
Krasniqi, i cili luan në Zvicër te skuadra e Zurichut, thotë se është krenar që do ta përfaqësojë Kosovën.
“Jam shumë krenar që do të luaj për Kosovën. Tashmë e kemi përfunduar seancën e dytë stërvitore. Ka qenë stërvitje shumë intensive. Nga dita e nesërme do të fillojmë ta përgatisim ndeshjen ndaj Armenisë. Për ekipin është shumë e rëndësishme që t’i marrim shumë seriozisht këto dy miqësore dhe t’i fitojmë që të dyja ndeshjet, pasi janë përgatitje për kualifikimet e Kupës së Botës”, ka thënë Krasniqi për faqen zyrtare të FFK-së.
Ai ka luajtur për të gjitha grupmoshat e reja të Zvicrës. Jo edhe për përfaqësuesen A. Dhe ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën në nivelin e të rriturve.
Edhe Florian Haxha ndihet shumë i lumtur që është ftuar te Kosova.
“Të gjithë më kanë pritur shumë mirë, janë shumë djem të mirë. Jam shumë krenar që më kanë ftuar që të luaj për Kosovën. Stërvitja ka shkuar mirë, ka qenë stërvitje intensive. Në këto dy lojë do të luajmë shumë mirë dhe do të marrim rezultat pozitiv. Besoj se të dyja ndeshjet do t’i fitojmë”, është shprehur Haxha, i cili luan te klubi Kapfenberg në kategorinë e dytë austriake.
23-vjeçari ka luajtur për Kosovën U21 në të kaluarën.
Miqësoret e qershorit do të shfrytëzohen për përgatitje për kampanjën kualifikuese të Botërorit, që vitin e ardhshëm organizohet në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kosova, kampanjën kualifikuese e nis ndaj Zvicrës më 5 shtator. Në Grupin B janë edhe Suedia dhe Sllovenia.