Futboll

Foda: E rëndësishme që t’i fitojmë dy miqësoret

Franco Foda

Selektori i Kosovës, Franco Foda, kërkon fitore në dy miqësoret e këtij muaji. Në konferencë për shtyp, të dielën, Foda ka thënë se është shumë e rëndësishme që të fitohen miqësoret dhe që në fillim të kualifikimeve për Botëror atmosfera të jetë e duhur.

Kosova më 6 qershor luan miqësore ndaj Armenisë. Ndërkohë më 9 qershor përballet me përfaqësuesen e Komoreve. Të dy miqësoret zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Te Kosova mungojnë lojtarët më të rëndësishëm si Amir Rrahmani, Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Milot Rashica, Arijanet Muriqi e disa të tjerë. Për herë të parë janë ftuar Bledian Krasniqi e Florian Haxha, ndërsa janë kthyer disa lojtarë të tjerë.

“Kemi disa mungesa të rëndësishme. Por për ne është me rëndësi të fitojmë dy miqësoret. Do të ishte përgatitje e mirë për kualifikimet e Botërorit që nisin në shtator. I kam ftuar disa lojtarë të rinj. Besoj se ata do t’i ndihmojnë ekipit kombëtar”, ka thënë Foda në konferencë për shtyp.

Ai ka treguar se ka pasur kontakte me Edon Zhegrovën, që nuk ka luajtur që nga mesi i dhjetorit. Foda ka thënë se Zhegrova i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjike dhe se do të jetë gati për edicionin e ardhshëm garues.

Kosova llogaritet favorite si ndaj Armenisë ashtu edhe ndaj Komoreve, ndonëse në ranglistën e FIFA-s pozitat janë të përafërta. Kosova së fundi u promovua në Ligën B të Ligës së Kombeve.

“Qëllimi është i qartë dhe këtë do t’ia them edhe ekipit. Edhe pse ndeshje miqësore, është shumë me rëndësi që t’i fitojmë ato. Momentalisht e kemi një eufori të përgjithshme pasi jemi ngritur në Ligën B. Këtë energji pozitive duhet ta vazhdojmë tutje. Do t’i qasemi ndeshjeve në mënyrën më të mirë të mundshme. Nëse lojtarët e rinj dëshmohen, do të nominohen në të ardhmen”, ka shtuar tekniku gjerman.

Foda ka arsyetuar vendimin për të ftuar mesfushorin 23-vjeçar, Florian Haxha, që luan në kategorinë e dytë austriake.

“Haxha luan për Kapfenbergun në ligën e dytë austriake. E kam përcjellë. Më ka bindur me paraqitjet e tij. Kam parë dy apo tri sosh. Ka shfaqur tempo të mirë. Ka shënuar disa gola. Më ka lënë përshtypje të mirë dhe për këtë e kam ftuar. Tani e ka rastin që të tregohet në stërvitje. Nëse shfaqet në stërvitje si në Kapfenberg mund të jetë startues në njërën nga dy miqësoret e ardhshme”, ka thënë Foda.

Kosova që më 5 shtator fillon kualifikimet për Botëror. Luan ndaj Zvicrës në Basel. Ndërkohë më 8 shtator është ndeshja Kosova – Suedia.

Në shtator pritet të kthehen gjithë titullarët, por ndonjë që dëshmohet me Armeninë e Komoret mund ta ketë më shumë besimin e Fodas kur sfidat e vërteta nisin.