Futboll

Kosova gati të tregojë forcën e saj kundër Armenisë

Perfaqesuesja e Kosoves

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Franco Foda, ka dhënë një mesazh të qartë për ekipin dhe tifozët para ndeshjes kundër Armenisë.

Foda ka thënë se në këtë përballje nuk do të ketë eksperimente. Përkundrazi, synimi është vetëm fitorja.

Ndeshja miqësore Kosovë – Armeni luhet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Nis në orën 19:00.

“Qëllimi kryesor i yni është që këto dy ndeshjet t’i fitojmë. Nuk dëshirojmë të eksperimentojmë. Jemi duke u përgatitur mirë për fazën kualifikuese të Botërorit në shtator ndaj Zvicrës dhe Suedisë. Është shumë me rëndësi që në fushë të dalim me lojtarët më të mirë, të cilët i kemi përgatitur dhe do t’i ndjekim parimet tona”, ka thënë Foda të enjten në konferencën për media.

“Dardanët” janë të vendosur të fitojnë armenët e më pas edhe përfaqësuesen e Komoreve para sfidave më të vështira që i presin në shtator.

Tekniku gjerman e ka cilësuar takimin si një mundësi të artë për lojtarët e rinj apo atyre që kanë pasur më pak hapësirë në të kaluarën te Kosova.

“Lëndimet janë pjesë e futbollit, pjesë e përditshmërisë. Unë jam një trajner i cili punoj me lojtarët që janë në dispozicion, të gatshëm dhe me shëndet të mirë. Kur dihet që 3-4 lojtarë të rëndësishëm po mungojnë, do të tentojmë t’i zëvendësojmë ata lojtarë. I kemi 25 lojtarë të ftuar dhe kjo do të thotë se do t’i japim mundësi të tjera lojtarëve të tjerë që ta tregojnë veten para ndeshjeve të shtatorit”, është shprehur Foda.

Kosova, që do të përballet në eliminatoret e Botërorit 2026 me Zvicrën dhe Suedinë në shtator. Në grup e ka edhe Slloveninë. Foda është i vetëdijshëm se nuk ka hapësirë për gabime. Dhe për këtë arsye, çdo ndeshje, qoftë edhe miqësore, Foda thotë se ka vlerë të madhe.

“Tani jemi duke u përgatitur për ndeshjet e radhës të cilat do t’i zhvillojmë në ditët e ardhshme. Jam i koncentruar plotësisht në lojtarët që i kam në dispozicion. Tani e kemi edhe seancën e fundit stërvitore, përfundimtaren. Në këtë rast, do t’i aplikojmë gjitha metodat tona të punës, parimet tona të punës, do të jemi aktivë, do t’i bëjmë presion kundërshtarit, do të kemi një lojë mjaft agresive dhe do të tentojmë të luajmë lojë sa më ofensive. Qëllimi ynë kryesor është që paraqitja jonë si skuadër të jetë sa më kompakte dhe sa më stabile”, ka shtuar Foda.

Ai ka theksuar se në të ardhmen, ekipit të Kosovës do t’i bashkohen edhe lojtarë të rinj. Një prej lojtarëve që Kosova është e interesuar ta ketë në mesin e saj është edhe sulmuesi, Dardan Shabanhaxhaj. Foda ka konfirmuar bisedimet me sulmuesin e Rubin Kazanit.

Me Fodën në konferencë u paraqit edhe mbrojtësi i krahut, Mërgim Vojvoda. Vojvoda është një nga pak lojtarë yje që i është bashkuar Kosovës për miqësoret e këtij muaji.

Ai ka thënë se paraqitja për Kosovën është detyrim.

“Ne e kemi për detyrë të vijmë për Kombëtaren. Tash çdo lojtar e ka arsyen e vet. Selektori është këtu për të vendosur për ata lojtarë që janë e nuk janë. Mirëpo, normalisht se unë e kam për detyrë kur të kryhen këto dy lojë, pastaj e kam pushim”, ka thënë Vojvoda.

Ai i ka vlerësuar të rëndësishme miqësoret.

“Çdo lojë me Kombëtaren është e rëndësishme, sidomos për këto, për t’u përgatitur për ato të tjerat që i kemi në shtator. Është shumë e rëndësishme të fitojmë, të vazhdojmë me pozitivitet, me fitore. Dhe është rast për çdo lojtar të ri që është këtu, ta tregojë veten dhe ta bëjmë një grup sa më të fortë, me konkurrencë sa më të madhe”, ka shtuar Vojvoda.

Vojvoda ka folur edhe për ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ai shpreson ta nisin me fitore ciklin e ri kualifikues. Kosova më 5 shtator luan ndaj Zvicrës në Basel, kurse më 8 shtator e pret Suedinë në Prishtinë.

“Është proces i ri dhe normalisht se shpresojmë që t’i marrim pikë Zvicrës apo Suedisë, secilit kundërshtar që e kemi në grup. Dy lojërat e para janë ndaj Zvicrës dhe Suedisë. Shpresojmë që të marrim pikë. Ato ndeshjet që i kemi bërë kundër Zvicrës më herët, besoj se kemi treguar lojë të mirë, angazhim të mirë. Kështu që shpresojmë që të na prijë fati dhe të fitojmë”, ka thënë Vojvoda.

Kosova të hënën luan ndaj Përfaqësueses së Komoreve, po ashtu nga ora 19:00.