Futbollistët e përfaqësueses së Kosovës kanë vazhduar me përgatitje për ndeshjet miqësore kundër Armenisë dhe Komoreve. Stërvitjen e katërt e kanë zhvilluar të mërkurën në stadiumin “Fadil Vokrri”, arenë ku synohen dy fitore.
Miqësoren e parë “Dardanët” e zhvillojnë kundër Armenisë të premten, kurse të hënën luajnë ndaj Komoreve. Të dyja ndeshjet i zhvillojnë nga ora 19:00.
Sulmuesi i krahut, Ermal Krasniqi, ka folur fillimisht për atmosferën në ekip ndërsa ka premtuar maksimumin në të dy miqësoret.
“Është dita e katërt e stërvitjeve. Kemi grup shumë të mirë dhe të gjithë janë të vetëdijshëm se duhet ta japin maksimumin. Jemi nën urdhrat e trajnerit dhe do të mundohemi që ta përgatisim ndeshjen sa më mirë. Janë ambientuar shpejt dhe janë djem me karakter të fortë. Të gjithë po mundohen ta tregojnë veten për të fituar një vend. Ne i kemi pritur shumë mirë”, ka thënë Krasniqi.
Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se fokusi në stërvitje ka qenë aspekti taktik.
Siç shkruan FFK-ja, për shkak të lëndimit, mbrojtësi Ismajl Beka të martën është larguar nga grumbullimi.
Portieri Visar Bekaj po ashtu ka thënë se synojnë ta mbyllin këtë grumbullim me dy fitore.
“Përgatitjet janë duke shkuar mirë. Atmosfera është e mirë. Lojtarët e rinj që kanë ardhur janë duke u ambientuar mirë me ekipin. Shpresoj të arrijmë fitore në dy miqësoret dhe të vazhdojmë me rezultate pozitive”, ka thënë Bekaj.
Ai ka theksuar se Armenia është kundërshtare e fortë.
“Nuk ka kundërshtarë të lehtë. Armenia është kombëtare shumë e fortë. Ne do ta japim maksimumin, pa marrë parasysh a është ndeshje miqësore apo kualifikuese. Shpresoj lojtarët e rinj ta tregojnë veten në mënyrë që Kosova në të ardhmen të ketë lojtarë më të mirë”, është shprehur ai.
Kosova pas fitoreve në mars kundër Irlandës, siguroi kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Në shtator, saktësisht më 5 dhe 8, Kosova i luan dy ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ndeshjen hapëse të ciklit të ri kualifikues e ka ndaj Zvicrës në Basel, kurse e pret Suedinë në Prishtinë. Në grup është edhe Sllovenia.