Kosova shkëlqeu të premten mbrëma duke fituar bindshëm 5:2 ndaj Armenisë në miqësoren e parë të këtij muaji. “Dardanët” tjetër paraqitje të mirë shpresojnë të kenë edhe në miqësoren e 9 qershorit ndaj Përfaqësueses së Komoreve. Edhe ajo ndeshje nis në orën 19:00 dhe luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Njërin prej golave të Kosovës e realizoi mesfushori i Clujit, Lindon Emërllahu.
Emërllahu për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Kosovës theksoi pas ndeshjes se e ka pritur shumë gjatë golin me fanellën e Kosovës.
Për të ishte goli i parë.
“E kam pritur shumë gjatë këtë gol dhe erdhi në momentin më të duhur. Jam shumë i lumtur për këtë gol, do të vazhdojë kështu që ta ndihmojë ekipin edhe më shumë. Ishte ndeshje mjaftë e mirë dhe e vështirë siç është një kundërshtar si Armenia pasi që ka lojtarë mjaftë cilësor. Po ashtu edhe ne bëmë një ndeshje mjaftë të mirë duke e ditur se kemi edhe disa lojtarë të rinj. Kemi stërvitur mirë gjatë javës dhe e realizuam atë dje në fushën e blertë. Kemi edhe një ndeshje të hënën të cilën duhet ta fitojmë”, ka thënë Emërllahu.
Kosova të shtunën paradite në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, ka vazhduar stërvitjen për miqësoren e dytë. Kanë stërvitur lojtarët që nuk kishin minutazh të plotë, ndërsa pjesa tjetër e grupit pati rigjenerim.
Fitore ndaj Komoreve pret mbrojtësi i Prishtinës, Dion Gallapeni. Gallapeni luajti në dhjetë minutat e fundit.
“Jam shumë i gëzuar për minutazhën që kam pasur. Ishte një ndeshje mjaftë e vështirë. Pjesa e parë nuk ishte ajo se çfarë e kemi përgatitur, por pjesa e dytë ishte shumë më ndryshe dhe dolëm fitimtar në atë ndeshje. Në ndeshjen ndaj Komoreve do të hyjmë për fitore. Është një mundësi e mirë për ne që ta vazhdojmë këtë cikël pozitiv dhe të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet kualifikuese që i kemi në muajin shtator”, u shpreh Gallapeni.
Kosova ciklin kualifikues për Botërorin 2026 e nis më 5 shtator ndaj Zvicrës në Basel, ndërsa më 8 shtator e pret Suedinë. Në Grupin B është edhe Sllovenia.