Me paqartësitë lidhur me ndeshjen ndaj Izraelit, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll mblidhet të hënën në Prishtinë. Kosova të enjten, më 12 tetor, luan në udhëtim ndaj Andorrës. Ndërkohë më 15 tetor në program është ndeshja Kosova – Izraeli, që duhet të zhvillohet në “Fadil Vokrri”. Por për shkak të gjendjes në Izrael, zhvillimi i kësaj ndeshjeje është në dyshim.
Kjo nuk duhet të jetë brenga e vetme në Përfaqësuesen e Kosovës. Brengosëse për përgjegjësit, duke përfshirë shtabin teknik, duhet të jetë rritja e madhe e numrit të lojtarëve reprezentues që janë vetëm rezervistë në skuadrat e tyre.
Paraqitja e rregullt në nivel skuadrash vlerësohet parakusht për t’u ftuar në Përfaqësuese. Por te Kosova, si dhe te pak përfaqësuese të tjera, ky parim nuk vlen gjithnjë. Për mungesë të konkurrencës, ndër të tjera.
Për të dytin grumbullim rresht, Kosova nuk e ka asnjë portier që paraqitet në nivel skuadrash. Portieri i parë, Arijanet Muriq, kishte një ndeshje për kupë për Burnleyn, ndërsa në Premier League nuk i ndahet stolit. Samir Ujkani nuk ka fare skuadër, ndërsa Visar Bekaj është rezervist i pashfrytëzuar te Hatayspor në Turqi.
Prej mbrojtësve të ftuar, Leart Paqarada po luan rregullisht për Koelnin në Bundesligë. Florent Hadërgjonaj në fundjavë nuk ishte fare i grumbulluar tek Alanyaspori. Së fundi ai ka pasur minutazhë të limituar te skuadra turke.
Kreshnik Hajrizi i Luganos në fundjavë ishte në stol, ndërsa kishte luajtur në tri ndeshjet e kaluara. Vetëm rezervist në fundjavë ishte edhe Lirim Kastrati i Ujpestit hungarez, që po ashtu ishte paraqitur në ndeshjet e kaluara.
Lista e rezervistëve të fundjavës vazhdon me Fidan Alitin e Alanyasporit, që në ndeshjet e mëparshme kishte startuar.
Betim Fazliji i St. Gallenit po paraqitet rregullisht në Superligën zvicerane. Rregullisht ka luajtur edhe Ismajl Beka i Luzernit. Por ai të dielën pësoi lëndim të rëndë.
Pra, mungesa e kapitenit Amir Rrahmani për shkak të lëndimit nuk është sfida e vetme e mbrojtjes së Kosovës. Rrahmani me shumë mundësi do të duhet të zëvendësohet nga ndonjë lojtar që në skuadrën e tij ka telashe me aktivizim.
Pak më mirë qëndron situata me mesfushë dhe me sulm, ndonëse konkurrenca për pjesën qendrore të mesfushës thuajse nuk ekziston, në mungesë të opsioneve.
Florian Loshaj po luan rregullisht tek Istanbulspori, skuadra e parafundit në Superligën turke. Meriton Korenica starton rregullisht te Manisa e kategorisë së dytë turke, por nuk ka ende gol apo asistim.
Befasi jo e këndshme të dielën erdhi nga Milot Rashica, që qëndroi vetëm në stol te Beshiktashi. Ai në ndeshjet e mëparshme ka luajtur herë startues e herë si zëvendësues, por të dielën nuk e fitoi rastin.
Bernard Berisha po luan rregullisht në Rusi, ndërsa Elbasan Rashani paraqitet si zëvendësues te Clermonti në Francë.
Altin Zeqiri i Rizesporit turk është tjetër emër i rezervistëve të fundjavës në Përfaqësuesen e Kosovës. Ai ishte paraqitur në ndeshjet e kaluara. Zymer Bytyqi po luan në Turqi herë si startues e herë si zëvendësues, por pa ndonjë kontribut.
Vedat Muriqi, Edon Zhegrova, Florent Muslija, Albion Rrahmani e Shkëlqim Vladi janë në momente të mira me skuadrat e tyre. Muriqi nuk do të paraqitet ndaj Andorrës, ndërsa Vladi mungoi të dielën te Lugano për shkak të një lëndimi.
Në momente të mira janë edhe Lumbardh Dellova e Qëndrim Zyba të Ballkanit, si dhe Ilir Krasniqi i Llapit, që u shpërblyen me ftesë në Përfaqësuese.
Në përgjithësi, vështirë se Kosova ka pasur ndonjëherë kaq shumë rezervistë në Përfaqësuese, nëse për bazë merret xhiroja e fundjavës. Momenti i lojtarëve në klubet e tyre reflekton edhe në paraqitje të Përfaqësueses, që tashmë është jashtë objektivave në kualifikimet për “Euro 2024”.
Gjendja aktuale e ka vetëm një të mirë – lojtarët do të jenë të motivuar për të dhënë më të mirën te Kosova dhe kështu të dërgojnë sinjale në klubet e tyre.