Sport

Tjetër listë e Kosovës, të tjera vendime të kontestuara

Samir Ujkani vazhdon të jetë pa skuadër. Por vazhdon ta ketë të rezervuar vendin në përfaqësuese të Kosovës.

Ftesa për Ujkanin është një nga shumë vendimet e përzgjedhësit Primozh Gliha që po kontestohen.

Slloveni Gliha të premten publikoi listën e lojtarëve në të cilët llogarit për ndeshjes me Andorrën dhe Izraelin. Ndeshja me Andorrën është në udhëtim, më 12 tetor. Ndërkohë takimi me Izraelin është në Prishtinë më 15 tetor. Kosova është tashmë jashtë objektivave në kualifikimet për Euro 2024.

Gliha ka ftuar disa lojtarë të rinj, por vlerësohet se është dashur të ftojë edhe disa të tjerë. Emir Sahitin e Hajdukut, për shembull. Ai vendosi derbin më të madh kroat dhe është në moment të mirë.

Ka vlerësime se është dashur të ftohen më shumë lojtarë të Ballkanit, që po shkruan histori. Po ashtu ndonjë lojtar i Dritës.

Vend në përfaqësuese këtë herë kishte për Lumbardh Dellovën e Qëndrim Zybën të Ballkanit si dhe për Ilir Krasniqin e Llapit.

Shkëlqim Vladi është emër i ri. Sulmuesi i Luganos në fakt është ftuar edhe më parë, por ishte lënduar dhe nuk u grumbullua.

Janë kthyer Elbasan Rashani dhe mbrojtësi Lirim Kastrati, që luan për Ujpestin në Hungari. Hungaria nuk shquhet për ndonjë kampionat cilësor.

Bie në sy numri i madh i futbollistëve të klubeve turke. Janë tetë gjithsej dhe shumë prej tyre nuk është që po kalojnë ndonjë formë të lartë.

Vedat Muriqi do të mungoi në ndeshjen e parë, por megjithatë është ftuar. Jashtë listës janë kapiteni Amir Rrahmani, pastaj Mërgim Vojvoda, Ibrahim Dresheviq, Valon Berisha e Ermal Krasniqi.

Në shumë pozita ende mungon konkurrenca e denjë, njëjtë si deri më tani.

Dy kundërshtarët e javës së ardhshme vlerësohen të kalueshëm, por entuziazmi rreth përfaqësuese e po ashtu në përfaqësuese është fare i vogël. Dhe ky fakt i bën edhe më sfiduese ndeshjet e tetorit.

Kosova më 12 shtator ka pësuar 2:0 nga Rumania, për të dalë thuajse plotësisht nga gara për kualifikim në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm.

Lista e Kosovës

Arjanet Muriq (Burnley), Visar Bekaj (Hatayspor), Samir Ujkani (pa ekip)

Leart Paqarada (Koeln), Florent Hadërgjonaj (Alanyaspor), Kreshnik Hajrizi (Lugano), Lirim Kastrati (Ujpest), Fidan Aliti (Alanyaspor), Ismajl Beka (Luzern), Betim Fazliji (St. Gallen), Ilir Krasniqi (Llapi), Lumbardh Dellova (Ballkani), Florian Loshaj (Istanbulspor), Qëndrim Zyba (Ballkani), Florent Muslija (Paderborn), Meriton Korenica (Manisa), Edon Zhegrova (Lille), Milot Rashica (Beshiktash), Bernard Berisha (Akhmat), Elbasan Rashani (Clermont), Altin Zeqiri (Rizespor), Zymer Bytyqi (Antalyaspor), Vedat Muriqi (Mallorca), Albion Rrahmani (Rapid Bukureshti), Shkëlqim Vladi (Lugano)