Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Primozh Gliha, ka publikuar listën për ndeshjet e muajit tetor, që janë të rëndësishme për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm.
Në listën e Glihas me 25 futbollistë ka pasur shumë ndryshime.
Amir Rrahmani mungon shkaku i lëndimit. Mungon edhe Arbër Zeneli, që në ndeshjet e shtatorit nuk u aktivizua fare. Nuk janë ftuar as Mërgim Vojvoda, Ibrahim Dresheviq, Valon Berisha dhe Ermal Krasniqi.
Ndërkohë, risi janë dy futbollistët e Ballkanit, kampionit të Kosovës, Lumbardh Dellova dhe Qëndrim Zyba, si dhe ai i Llapit, Ilir Krasniqi.
Janë rikthyer Elbasan Rashani i Clermontit, Lirim Kastrati i Ujpestit si dhe Shkëlqim Vladi i Luganos. Vladi në formë shënoi gol për Luganon në fitoren ndaj Beshiktashit të enjten mbrëma në Ligën e Konferencës.
Edhe
Pavarësisht mungesave, Kosova synon fitoren ndaj Andorrës
Në portë, Gliha ka ftuar Arijanet Muriqin, Visar Bekajn dhe Samir Ujkanin.
Në mbrojtje janë Leart Paqarada, Florent Hadërgjonaj, Kreshnik Hajrizi, Fidan Aliti, Ismajl Beka e Betim Fazliji.
Në mesfushë e në sulm janë ftuar Florian Loshaj, Florent Muslija, Meriton Korenica, Edon Zhegrova, Milot Rashica, Bernard Berisha, Altin Zeqiri, Zymer Bytyqi, Vedat Muriqi e Albion Rrahmani.
Kosova do të luajë në udhëtim tek Andorra më 12 tetor, kurse e pret Izraelin më 15 tetor.
Edhe
Zhegrova nuk grumbullohet, Dellova i lënduar largohet nga kampi
Kosova në Grupin I kualifikues për “Euro 2024” zë pozitën e pestë me katër pikë.
Këtë kampanjë e mbyll në nëntor me ndeshjen në udhëtim te Zvicra, dhe në shtëpi kundër Bjellorusisë.
