Në rrethana normale, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), do të duhej tashmë të publikonte listën e lojtarëve të ftuar nga selektori Primozh Gliha. Selektori do të mbante konferencë për shtyp, për të arsyetuar zgjedhjet e tij, e po ashtu do të bëhej publike të paktën dita dhe ora e mbajtjes së stërvitjes së parë të “Dardanëve”. Por, për asnjërën nga këto, FFK-ja nuk ka njoftuar. Të paktën deri para publikimit të shkrimit. Deri para ndeshjes me Izraelin kanë mbetur edhe tri ditë. Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, do të luhet të dielën (20:45) në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon kualifikimeve për “Euro 2024”. Kjo ndeshje është dashur të luhej më 15 tetor, por u shty shkaku i situatës në Lindjen e Mesme. KOHA ka mësuar se lista e lojtarëve do të publikohet të premten, ditën kur nis grumbullimi.
“Selektori Primozh Gliha do të paraqitet para gazetarëve vetëm të shtunën, një ditë para ndeshjes kundër Izraelit. Lista e lojtarëve do të publikohet të premten. Për të premten është planifikuar të nis zyrtarisht edhe kampi”, ka thënë një zyrtar i FFK-së në kushte anonimiteti.
KOHA, po ashtu ka mësuar se vonesa e publikimit të listës për ndeshjet e këtij muaji ka ndodhur pas pengesës që kanë hasur zyrtarët e Përfaqësueses me disa prej klubeve ku paraqiten lojtarët e Kosovës. Lojtarët kanë hezituar të flasin hapur, nëse do të jenë pjesë e Kosovës për ndeshjen kundër Izraelit. Për shembull, kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani ka thënë se nuk e di nëse do të jetë i pranishëm në ndeshjen kundër Izraelit.
Rrahmani, i cili është pjesë e skuadrës së Napolit, ka thënë se me klubin italian po i vlerëson gjërat dhe se ende nuk e ka një përgjigje të saktë. Napoli, të dielën luan kundër Empolit në kuadër të Serie A.
“Nuk e di ende, ne jemi duke vlerësuar gjërat”, ka thënë Rrahmani kur është pyetur se a do të mungoj ndaj Empolit për shkak se do të jetë i grumbulluar me Kosovën.
Edhe Milot Rashica ka hezituar të flas për ndeshjen e parë që Kosova e luan këtë muaj.
Sipas mediave në Turqi, Rashica e ka pranuar ftesën e Kosovës për ndeshjet e këtij muaji. Beshiktashi do të ketë ndeshje kampionale në Superligën e Turqisë të dielën. Në shtëpi e pret Bashakshehirin, në kuadër të xhiros së 12-të të elitës së futbollit turk. Ndërkohë, Rashica të enjten mbrëma është angazhuar për ndeshje evropiane.
Të mërkurën, mediumet në Rumani raportuan se pasi ndeshjet e klubeve janë në periudhë të njëjtë me ndeshjen Kosova – Izraeli, shumë klube në Evropë po shantazhojnë lojtarët e tyre nga Kosova që të refuzojnë ftesën, në mënyrë që të jenë në dispozicion për ndeshjet e ligës. Kosova ka humbur gjasat për kualifikim. Është e katërta me shtatë pikë në Grupin I kualifikues.