Sport

Peja synon me fitore ta nisë mbrojtjen e titullit në Ligën Unike

KB Peja është e vendosur për ta mbrojtur titullin e Ligës Unike këtë edicion. E skuadra pejane e hap edicionin 2022/23 të kësaj lige të përbashkët me Shqipërinë, që starton të enjten. Në ndeshjen e xhiros së parë, Peja do të përballet me skuadrën tjetër nga Kosova, Ponte Prizrenin. Dueli luhet në palestrën “Karagaçi” dhe starton në orën 19:00.

Peja e fitoi sezonin e shkuar këtë trofe, të cilin synon ta mbrojë edhe këtë edicion. Megjithatë, fitorja ndaj Ponte Prizrenit ka rëndësi të dyfishtë për Pejën, pasi rezultati i kësaj sfide është i vlefshëm edhe për Superligën e Kosovës. Në kampionat, Peja ka bilanc të qind për qindtë, ku në tetë ndeshje të luajtura ka po aq fitore dhe i prinë tabelës me 16 pikë. Në fakt, Peja dhe Ponte Prizreni është dashur të përballen në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës së Kosovës, por nuk kanë luajtur shkak të pjesëmarrjes këtë edicion në Ligën Unike.

Këtë edicion është vendosur që rezultatet e Ligës Unike të barten në Superligë për duelet e skuadrave kosovare. Krahas Pejës dhe Ponte Prizrenit, këtë edicion në Ligën Unike paraqiten edhe Trepça e Golden Eagle Ylli. Trepça e ka fituar Superkupën Mbarëkombëtare muajin e shkuar, ndërsa Ylli pati triumfuar në edicionin inaugurues të kësaj lige të përbashkët. Ndërkohë, Shqipëria do të përfaqësohet nga Teuta, Tirana, Kamza dhe Vllaznia. Megjithatë, në kuadër të xhiros së parë, do të luhet vetëm një ndeshje, ajo në qytetin e Pejës.

“Ponte Prizreni është një kundërshtar i rrezikshëm, pasi mund ta ndëshkoj secilën skuadër që nuk luan mbrojtje të fortë. Ne duhet të tregohemi të mençur, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje dhe të jemi maksimalisht të kujdesshëm. Sigurisht, që duam të vazhdojmë me fitore këtë edicion duke pasur parasysh se triumfi në këtë ndeshje do të thotë fitore edhe në kampionat edhe në Ligën Unike. Pra, na jep motiv shtesë për ta dhënë më të mirën në parket për shkak të rëndësisë se dyfishtë që e ka”, ka thënë trajneri i Pejës, Can Sevim për KOHËN.

Krahas Ligës Unike, skuadra e Pejës këtë edicion po paraqitet edhe në Ligën Ballkanike (BIBL). E ka fituar ndeshjen e parë, atë ndaj Budevilnykut të Ukrainës. Kështu që, Peja është ekipi i vetëm në Kosovë që i ka fituar të gjitha ndeshjet në të gjitha garat. Duke pasur parasysh këtë ecuri fantastike të Pejës, te Ponte Prizreni e pranojnë se i pret një përballje e vështirë. Trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati e sheh Pejën favorite, por insiston se ekipi i tij do ta synojë befasinë, fitoren. Në kampionat, Ponte Prizreni zë vendin e parafundit në tabelë me dhjetë pikë dhe dy ndeshje më pak të zhvilluara. Në shtatë ndeshje të luajtura deri më tani, Ponte Prizreni ka tri fitore karshi katër humbjeve.

“Duke pasur parasysh se rezultati do të llogaritet edhe në Superligë, kjo ndeshje ka rëndësi të dyfishtë dhe gjatë kësaj periudhe jemi përgatitur maksimalisht. Besoj në një paraqitje të mirë të ekipit, i cili ka pauzuar në dy xhirot e fundit. Sigurisht, Peja është favorite por ne udhëtojmë për befasi”, është shprehur Rifati.

Krahas duelit me Pejën, skuadra nga Prizreni nuk e ka luajtur as me Trepçën në kuadër të xhiros së tetë, për shkak se edhe ekipi nga Mitrovica luan këtë edicion në Ligën Unike. Në dy xhirot e fundit, Ponte Prizreni ka pushuar, ndërsa në vikend do të luajë derbin kundër Bashkimit në kuadër të xhiros së dhjetë.