Peja është e vendosur ta kalojë edhe pengesën e radhës për të vazhduar të mbetet ekipi i vetëm i pamposhtur këtë edicion në Superligën e Kosovës në basketboll. Skuadra pejane po synon edhe fitoren e shtatë nën drejtimin e trajnerit nga Turqia, Can Sevim.
Në kuadër të xhiros së shtatë, Peja e pret në shtëpi skuadrën e Rahovecit që deri më tani ka vetëm një fitore. Peja prin në tabelë me 12 pikë, pesë më shumë se Rahoveci që renditet i fundit. Dueli mes Pejës dhe Rahovecit në palestrën “Karagaçi” do të zhvillohet të shtunën prej orës 17:00. Me këtë ndeshje edhe hapet xhiroja e shtatë e cila përfundon të dielën në mbrëmje.
Trajneri i Pejës, Sevim, ka thënë të premten për KOHËN se synimi i ekipit të tij është të vazhdojë me fitore.
“Sigurisht se do të synojmë fitoren edhe në këtë ndeshje për të vazhduar të jemi të pamposhtur. Është shumë e rëndësishme që ekipi ta mbajë këtë ritëm dhe shpresoj në një paraqitje të mirë. Natyrisht nuk do të jetë lehtë kundër Rahovecit, ekip me të cilin i kemi luajtur dy miqësore dhe ka treguar paraqitje shumë të mira duke na vështirësuar punën”, është shprehur Sevim. “Besoj se këtë strategji Rahoveci do ta përdorë edhe këtë herë, por ne tashmë këtë e kemi parasysh dhe do të jemi të fokusuar në mbrojtje të fortë dhe lojë të shpejtë. Nëse aplikojmë atë që e kemi punuar gjatë tërë javës dhe luajmë kolektivisht, atëherë jam i bindur se do të fitojmë dhe do ta vazhdojmë serinë fantastike që e kemi deri më tani”.
Skuadra e Rahovecit nuk di për fitore në pesë ndeshjet e fundit. Fitoren e vetme e ka ndaj Golden Eagle Yllit, të cilën e arriti në xhiron e parë. Përkundër serisë negative, te Rahoveci nuk do të udhëtojnë në Pejë me flamur të bardhë. Kështu ka insistuar kapiteni Bardh Rexha. Edhe pse ka pranuar se Peja është favorite, Rexha ka theksuar se Rahoveci nuk do të dorëzohet deri në fund.
“Tashmë dihet që Peja është lidere dhe i ka fituar të gjitha ndeshjet. Peja ka lojë dhe organizim për çdo lëvdatë. Lojtarët i ka shumë cilësorë, gjë që e kanë treguar edhe në përballjet e tjera. Megjithatë ne në secilën ndeshje hyjmë për fitore. Pozitat tabelore nuk i kemi të njëjta, por ne nuk dorëzohemi kurrë në krye me trajnerin Muhamed Thaçi dhe këtë e kemi dëshmuar edhe në të gjitha ndeshjet, ku kemi treguar luftë. Ne nuk e meritojmë këtë pozitë, por jemi duke u përmirësuar dhe fakti që Peja është e pamposhtur, është motiv shtesë për ne”.
Të shtunën zhvillohet edhe një ndeshje tjetër. Sigal Prishtina e pret Ponte Prizrenin prej orës 19:00 në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë. Prishtina në këtë ndeshje futet pas fitores që e arriti në Rahovec javën e shkuar, ndërsa Ponte Prizreni pas humbjes befasuese që e pësoi në shtëpi nga Vëllaznimi. Prishtina është e dyta në tabelë me nëntë pikë, një më shumë se Ponte Prizreni që zë vendin e katërt. Ndërkohë të dielën janë dy ndeshjet e tjera të xhiros së shtatë.
Prej orës 17:00, në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, Vëllaznimi përballet me Trepçën. Trepça ka kërkuar që në këtë ndeshje ta ketë përkrahjen e tifozëve të saj, gjë që i ishte aprovuar nga Komisioni i Garave të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Mirëpo, reagimi i Vëllaznimit ishte i menjëhershëm, duke bërë me dije se nuk do të lejojë udhëtimin e tifozëve mitrovicas në mënyrë të organizuar të dielën. Këtë e ka konfirmuar edhe një herë drejtori sportiv i ekipit nga Gjakova, Ideal Bakija, të premten për KOHËN.
“Vendimi ynë i fundit është që të mos i lejojmë tifozët e Trepçës në palestër të vijnë në mënyrë të organizuar. Kështu që nuk do të ketë”, ka thënë Bakija.
Dueli i fundit i kësaj xhiroje është ai ndërmjet Golden Eagle Yllit dhe Bashkimit. Kampioni në fuqi, Ylli, xhiron e shkuar triumfoi në udhëtim ndaj Trepçës, ndërsa Bashkimi pësoi në Prizren nga skuadra e Pejës.
Superliga – 7
E shtunë
Peja – Rahoveci (17:00)
S. Prishtina - P. Prizreni (19:00)
E diel
Vëllaznimi – Trepça (17:00)
G.E. Ylli – Bashkimi (19:00)
1. Peja 6 12
2. S. Prishtina 6 10
3. Trepça 6 10
4. P. Prizreni 6 9
5. Bashkimi 6 8
6. Vëllaznimi 6 8
7. G.E. Ylli 6 8
8. Rahoveci 6 7