Peja ka regjistruar fitore të rëndësishme në elitën e basketbollit kosovar, ndërsa e ka thelluar edhe më shumë në krizë skuadrën Rahoveci 029.
Klubi pejan të shtunën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, fitoi me rezultatin 89:81.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdeshja ishte e vlefshme për xhiron e 25-të në Superligën e Kosovës.
Peja është në kërkim të një pozite sa më të mirë për plejof, ndërsa tani në mesin e tabelës i ka 36 pikë, pas 11 fitoreve e 14 humbjeve.
Rahoveci 029 me tetë fitore e 17 humbje, i ka 33 pikë dhe është në pozitë të vështirë për mbijetesë.
Vendësit pjesën e parë e patën më të mirë dhe shkuan në pushim me dhjetë pikë epërsi, 45:35.
Rikthimi i madh i mysafirëve erdhi në pjesën e dytë.
Fillimisht, Peja e fitoi 24:18 çerekun e tretë, teksa me rezultatin 30:18 përfundoi periudha e fundit në të mirë “verdhezinjve”, për fitoren me tetë pikë dallim.
Ishte fitorja e parë e Pejës pas pesë humbjeve të njëpasnjëshme.
Daquan Bracey ishte më i dalluari te Peja me 19 pikë e shtatë asistime, ndërsa ndihmë në fitore dha edhe Musab Mala. Mala i pati 21 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime.
Te Rahoveci 029, më së shumti pikë i pati J’von Mccorrmick, 23 gjithsej. Ai e mbylli ndeshjen edhe me gjashtë kërcime e shtatë asistime.
Në xhiron e ardhshme, Peja luan me Sigal Prishtinën, kurse Rahoveci 029 luan në udhëtim te Vëllaznimi.