Prej xhiros së tetë e deri në xhiron e 11-të katër ndeshje të parapara në orarin e garave nuk do të zhvillohen në kuadër të Superligës së Kosovës në basketboll. Prej tyre, tri nuk do t’i zhvillojë Ponte Prizreni.
Në fakt, Ponte Prizreni do të detyrohet të pauzojë dy javë rresht. Fillimisht nuk do të luajë kundër Trepçës në kuadër të xhiros së tetë, që zhvillohet këtë vikend, pastaj ndaj Pejës (xhiro 9) dhe Golden Eagle Ylli (xhiro 11). Dueli tjetër që nuk do të luhet është ai ndërmjet Yllit dhe Pejës që i takon xhiros së dhjetë.
Të gjitha këto ndeshje do të kompensohen me përballjet e këtyre skuadrave në kuadër të Ligën Unike. Liga Unike nis më 16 nëntor me tetë skuadra, katër nga Shqipëria. Pra, rezultatet që arrihen në Ligën Unike do të numërohen edhe si rezultate të Superligës.
Ponte Prizreni rrezikon katër humbje në dy ndeshje, por mund të marrë katër fitore në dy ndeshje.
FBK-ja ka vendosur që rezultatet e Ligës Unike të barten në Superligë. Edicionin e kaluar rezultatet e Superligës u numëruan në Ligën Unike. U respektua orari i kampionatit kosovar e tani respektohet më shumë kalendari i Ligës Unike. Dhe kjo solli pushimin e gjatë për Prizrenin, por edhe për Trepçën.
Trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, nuk shqetësohet shumë për këtë. Ai thotë se me bartjen e rezultateve nga njëra ligë në tjetrën është evituar ballafaqimi i shpeshtë i ekipeve kosovare e që mund të bëhej edhe monoton.
“Ky është sistemi që e ka vendosur federata, i cili edhe sezonin e shkuar ishte i tillë, por vetëm se rezultatet nga Superliga barteshin në Ligën Unike. Ndoshta është më mirë sepse do të ishte paksa montone që t’i kemi ndeshjet e njëjta si në kampionat, ashtu edhe në Ligën Unike. Kështu që me një ndeshje i marrim dy rezultate”, është shprehur Rifati. “Ndoshta gjëja e keqe është që na bie të kemi një pushim paksa më të gjatë, por edhe këto ndeshje do të kompensohen më të filluar Liga Unike”.
Sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, që është edhe anëtare e bordit të Ligës Unike, ka thënë se ky veprim është bërë për t’ua ulur shpenzimet skuadrave kosovare.
“Këtë edicion kemi vendosur që rezultatet e pjesës së rregullt të Ligës Unike të barten në Superligën e Kosovës për ta bërë një ndryshim. Kjo është bërë me qëllim që të kursehen ekipet nga shpenzimet për shkak të udhëtimeve të shpeshta që do t’i kishin për të luajtur kundër njëra-tjetrës si në kampionat, ashtu edhe në Ligën Unike. Klubet e kanë pranuar dhe mendoj se është veprim tejet i arsyeshëm për të gjitha palët”, është shprehur Dushku.
Edicioni 2022/23, që nis muajin e ardhshëm, do të jetë i treti i Ligës Unike në konkurrencën e meshkujve.
Do të marrin pjesë tetë skuadra: Peja, Trepça, Golden Eagle Ylli, Ponte Prizreni, Tirana, Vllaznia, Kamza dhe Teuta.
Në dy edicionet paraprake titullin e kampionit e kanë fituar skuadrat nga Kosova. Të parin, që ishte në formë turneu, e pati fituar Ylli. Peja triumfoi edicionin e shkuar.
Në fundjavë do të zhvillohen tri ndeshje të xhiros së tetë të Superligës. Vëmendja do të jetë në Pejë, ku skuadra pejane përballet me Sigal Prishtinën. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 17:00. Peja është ekipi i vetëm këtë edicion që nuk di për humbje në Superligë. Te dielën do të luhet edhe dueli mes Yllit dhe Rahovecit, nga ora 19:00 në Suharekë. Ndërsa të shtunën prej orës 19:00 në Gjakovë luhet ndeshja ndërmjet Vëllaznimit dhe Bashkimit.
Superliga – 8
E shtunë
Vëllaznimi – Bashkimi (19:00)
E diel
Peja – S. Prishtina (17:00)
Ylli – Rahoveci (19:00)
1. Peja 7 14
2. S. Prishtina 7 12
3. Trepça 7 11
4. P. Prizreni 7 10
5. Vëllaznimi 7 10
6. Ylli 7 10
7. Bashkimi 7 9
8. Rahoveci 7 8