Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Peja mposht thellë kampionin në Suharekë

Skuadra e Pejës e ka fituar ndeshjen e fundit të xhiros së 24-të të Superligës së Kosovës në basketboll ndaj Golden Eagle Yllit. Dueli i luajtur të martën mbrëma në palestrën "13 Qershori" në Suharekë, përfundoi me shifrat 95:78 në të mirë të Pejës.

Me këtë fitore, Peja është ngritur në kuotë e 41 pikëve, duke u barazuar me Yllin.

Skuadra e Pejës ishte më e mirë se Ylli gjatë tërë ndeshjes dhe pothuajse vazhdimisht ishte në epërsi. Megjithatë, shkëputjen e madhe në rezultat, Peja e bëri në çerekun e dytë, të cilin e fitoi me shifrat 28:17. Krahas këtij çereku, Peja fitoi edhe periudhën e parë dhe të tretë, ndërsa Ylli ishte më i mirë në dhjetë minutat e fundit, por që nuk pati ndonjë ndikim në rezultatin përfundimtar.

Arian Qallaku me 18 pikë të shënuara ishte më efikasi te Peja, ku me lojë të mirë u veçuan edhe David Joseph (17) e Larry Thomas (14).

Te Ylli, u veçuan Wesley Washpun e Henrik Shirko me nga 15 pikë të shënuara secili, por që nuk arritën ta evitojnë humbjen.

Artikuj të ngjashëm