Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ylli fiton dramën në Pejë, siguron ndeshjen e katërt

Skuadra e Pejës nuk ka arritur ta shfrytëzojë mundësinë e parë për ta siguruar plasmanin në finale e plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Në ndeshjen e tretë të serisë finale, Peja ka pësuar humbje në shtëpi nga Golden Eagle Ylli.

Kampioni në fuqi, Ylli ka triumfuar me shifrat 107:104 në palestrën “Karagaçi” të mërkurën mbrëma. Me këtë fitore, Ylli ka ngushtuar epërsinë e Pejës në 2:1 dhe tani seria zhvendoset në Suharekë, ku skuadra pejane sërish ka mundësinë për të avancuar në finale. Skuadra që shënon tri fitore, do të jetë finaliste e këtij edicioni, ndërsa në rast të triumfit të Yllit, atëherë gjithçka do të vendoset javën tjetër në ndeshjen e pestë që do të luhet në Pejë, pasi pejanët kanë avantazhin e terrenit. Ylli e nisi shumë më mirë ndeshjen dhe çerekun e parë e mbylli me epërsi prej 11 pikëve (25:14).

Peja u kundërpërgjigj në periudhën e dytë, të cilën e fitoi me shifrat 28:18 për të shkuar në pushim me vetëm një pikë disavantazh (43:42). Në dhjetëminutëshin e tretë, Ylli e riktheu epërsinë prej 11 pikëve (72:61), e cila ishte e mjaftueshme edhe në periudhën e fundit për ta siguruar fitoren, që ishte tejet e mundimshme. Fitoren e ekipit nga Suhareka e konfirmoi amerikani Wesley Washpun me pikët e shënuara nga gjuajtja e lirë.

Shirko u rikthye nga lëndimi pasi i mungoi Yllit në tri ndeshjet paraprake.

Për Yllin, kjo ishte fitorja e parë në gjysmëfinale, ndërsa Peja regjistroi humbjen e parë në kampionat nën drejtimin e trajnerit Rami Hadar pas një serie prej 10 fitoreve rresht. Henrik Shirko i rikthyer nga lëndimi ishte më efikasi te Ylli me “double-double” prej 22 pikëve e 10 kërcimeve, ndërsa me lojë të mirë u veçua edhe Wesley Washpun me 19 pikë, ndërsa Gëzim Morina realizoi 17 pikë. Te Peja, më efikasi ishte Jalen Tate me 23 pikë, i përcjell nga Larry Thomas me 20 sosh, por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen nga Ylli dhe të sigurojnë kalimin në finale.

Artikuj të ngjashëm