Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Peja fiton dramën ndaj Yllit, kalon në finale

Skuadra e Pejës ka kaluar në finale të Superkupës së Kosovës në basketboll, ku do të përballet me Trepçën.

Peja e mposhti Golden Eagle Yllin me rikthim të madh në gjysmëfinalen e dytë, të luajtur të premten mbrëma në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

Kampionia në fuqi, triumfoi me shifrat 79:72, ndërsa para Yllit e eliminoi edhe Prizrenin në çerekfinale.

Në fakt, Peja fitoren e ka siguruar vetëm në çerekun e katërt, pasi në tri periudhat e para ishte në disavantazh ndaj Yllit.

Skuadra e Suhareka e nisi shumë më mirë ndeshjen dhe prej fillimit ishte në epërsi.

Çerekun e parë, Ylli e mbylli me shifrat 23:18 për ta fituar edhe të dytin me rezultatin 18:12, duke krijuar epërsi prej nëntë pikëve. Edhe pse e humbi çerekun e tretë (17:22), Ylli në dhjetë minutat e fundit u fut me epërsi prej gjashtë pikëve.

Megjithatë, Peja në këtë periudhë u tregua fantastike, jo vetëm për ta shkrirë epërsinë por edhe për ta fituar duelin me 7 pikë epërsi. Lis Shoshi me 21 pikë e 9 kërcime ishte më i miri te Peja, ku me lojë të mirë u veçuan edhe Jacob Calloway (20) e Justin Davis (17).

Tek Ylli, më efikasi ishte Jalen Nesbitt me 14 pikë e 11 kërcime, ndërsa kapiteni Gëzim Morina shtoi 16 pikë. Finalja mes Trepçës dhe Pejës, do të zhvillohet të dielën, po ashtu në Suharekë.

Artikuj të ngjashëm