Kampionia në fuqi, Peja, është kthyer te fitorja në Superligën e Kosovës në basketboll. Të shtunën mbrëma në Prizren, Peja e mposhti Bashkimin me rezultat 94:88.
Ndeshja i ka takuar xhiros së 14-të, ndërsa është vendosur vetëm në aksionet e fundit. Më efikas në fazën finale të ndeshjes ishin pejanët që edhe iu gëzuan dy pikëve të reja.
Peja është e dyta në tabelë me 24 pikë, dy më pak se Trepça dhe dy më shumë se Golden Eagle Ylli.
Ndërkohë Bashkimi ka 18 pikë në pjesën e poshtme të tabelës. Skuadra prizrenase është në seri prej katër humbjeve.
Jay Jay Chandler udhëhoqi Pejën me 26 pikë, 11 kërcime e nëntë asistime. Larry Thomas i kishte 17 pikë e nëntë kërcime, ndërsa Urald King kontribuoi me 20 pikë e nëntë kërcime.
Te Bashkimi u dallua Erik Copes me 29 pikë e pesë kërcime. Altin Morina i kishte 12 pikë, tetë kërcime e shtatë asistime. I kishte edhe pesë topa të rrëmbyer, por edhe gjashtë të humbur.