Skuadra e Bashkimit e ka befasuar kampionen në fuqi të Kosovës në basketboll, Pejën. Bashkimi të enjten mbrëma mposhti Pejën në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren me rezultatin 84:78. Ndeshja i ka takuar xhiros së 21-të të Superligës së Kosovës. Peja ishte në cilësinë e vendëses në këtë ndeshje, por ndeshja u luajt në Prizren për shkak të problemeve teknike në palestrën në Pejë.
Ballafaqimin e xhiros së 28-të, Bashkimi do ta zhvillojë në Pejë, ndërsa prizrenasit do të jenë vendës. Bashkimi kishte dy humbje të njëpasnjëshme, ndërsa Peja e pësoi disfatën e parë pas tri fitoreve rresht.
Bashkimi e nisi fuqishëm ndeshjen dhe e fitoi çerekun e parë, 26:19. Por, Peja e trajnerit Rami Hadar u kthye më e fortë në periudhën e dytë duke e fituar atë me rezultatin 31:22, për të shkuar në pushim me dy pikë epërsi, 50:48. Prizrenasit i fituan dy çerekët e fundit, 21:14 dhe 15:14, për të triumfuar në fund me gjashtë pikë dallim, 84:78. Erik Copes ishte më i dalluari në fitoren e Bashkimit, pasi e mbylli ndeshjen me 24 pikë, nëntë kërcime e tri asistime.
Jalan Mccloud dha kontribut po ashtu me 20 pikë, tri kërcime e një asistim, ndërsa Lejson Zeqiri takimin e mbylli me 19 pikë, nëntë kërcime e një asistim. Edhe te Peja vetëm tre basketbollistë patëm pikë dyshifrore.
Jetmir Zeqiri shënoi 10 pikë, dy kërcime e shtatë asistime. Larry Thomas realizoi 17 pikë, gjashtë kërcime e pesë asistime, ndërsa Said Doucoure pati 14 pikë, katër kërcime e dy asistime. Justin Davis pati lojë të mirë po ashtu me tetë pikë, shtatë kërcime e dy asistime, por që në fund nuk dolën të mjaftueshme për ta shmangur disfatën. Bashkimi pas 21 ndeshjeve, me tetë fitore e 13 disfata, renditet në vendin e gjashtë me 29 pikë. Peja vazhdon të mbetet e dyta pas 21 ndeshjeve me 36 pikë. Ka 15 fitore e gjashtë humbje.