Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Bashkimi e vazhdon dominimin në basketbollin kosovar

bashkimi

Bashkimi i Prizrenit ka vazhduar dominimin në Superligën e Kosovës në basketboll në konkurrencë të femrave.

Basketbollistet e skuadrës prizrenase e fituan titullin e kampionit të mërkurën mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë.

Në praninë e një numri të madh shikuesish, Bashkimi e mposhti Pejën 03 me rezultat 71:61.

Për Bashkimin është titulli i katërt rresht dhe i dhjeti gjithsej.

Prizrenaset e kanë fituar serinë finale me rezultatin 4:3. Peja 03 në ndeshjen vendimtare nuk e shfrytëzoi terrenin vendas dhe përkrahjen e shikuesve. 

Bashkimi këtë edicion e ka fituar edhe Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike. Ndërkohë Peja 03 mbetet me trofeun e Superkupës.

Bashkimi ishte në epërsi thuajse gjithë kohën në ndeshjen e shtatë finale. 23:17 në të mirë të Bashkimit përfundoi çereku i parë, ndërsa 19:7 i dyti. Pejanet tentuan të kthehen në pjesën e dytë. U afruan në rezultat, por mysafirët i rezistuan presionit dhe mbajtën epërsinë deri në fund.

Edhe Bashkimi fiton ndeshjen dramatike me Pejën, Shorter vendimtar Basketboll Bashkimi fiton ndeshjen dramatike me Pejën, Shorter vendimtar

Alexis Mead udhëhoqi Bashkimin me 26 pikë, tetë asistime e katër kërcime.

Saranda Daci, ndonëse luajti për kohë të gjatë me katër personale, kontribuoi me 16 pikë e tetë kërcime. Waggoner Dontavia i kishte 12 pikë e gjashtë kërcime.

Paige Powell ishte më e mira te Peja 03 me 21 pikë e dhjetë kërcime. Adrienne Godbold i kishte 17 pikë, dhjetë kërcime e katër asistime, por që nuk mjaftuan për t’i dhënë fund dominimit të ekipit prizrenas.