Bashkimi ka shënuar fitore shumë të vështirë dhe shumë dramatike ndaj Pejës. Të dielën mbrëma në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, Bashkimi fitoi me rezultatin 78:74.
Ndeshja i takoi xhiros së 20-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Skuadra pejane ishte në epërsi në shumicën e kohës. Madje kishte epërsi deri në 20 pikë. Por në pesë minutat e fundit pejanët patën telashe të mëdha në organizim dhe efikasitet. Për 74:68, Peja shënoi 4.27 minuta para fundit. Më pas prizrenasit realizuan seri 10:0 për fitore 78:74 në fund.
Ike Nwamu ishte më i miri te Bashkimi me 18 pikë e gjashtë kërcime. Shanon Shorter i realizoi 17 pikë e pesë kërcime. Lejson Zeqiri kontribuoi me 13 pikë në fitore.
Te Peja u dallua Logan Routt me 20 pikë e shtatë kërcime. Cesare Edwards i kishte 12 pikë e plot 16 kërcime. 19 pikë i shtoi Arti Hajdari, që realizoi edhe tri kërcime e dy asistime.
Bashkimi e shënoi fitoren e 14-të. Me 34 pikë e mban pozitën e dytë. Peja ka bilanc prej dhjetë fitore e dhjetë humbje.
Bashkimi të mërkurën luan në Rahovec ndaj Trepçës në finale të Kupës së Kosovës.