Ndeshja derbi e xhiros së gjashtë e Superligës së Kosovës në basketboll i ka takuar Bashkimit, që ka vazhduar me bilanc të përkryer në fillim të sezonit.
Të shtunën në palestrën e mbushur me shikues e me atmosferë të zjarrtë në “Sezaoi Surroi”, Bashkimi e regjistroi fitoren e gjashtë të edicionit, duke e mposhtur GO+ Pejën, që e pësoi disfatën e parë.
Bashkimi fitoi 83:79, ndërsa takimi u vendos vetëm në minutat e fundit.
Pjesën e parë, Bashkimi e mbylli me epërsi prej tetë pikëve, 43:35.
Skuadra pejane u kthye fuqishëm në pjesën e dytë. Çerekun e tretë e fitoi 26:22, duke u afruar në katër pikë. Pesë minuta e gjysmë pa u mbyllur ndeshja madje pati edhe epërsi prej një pike 71:70.
Por, ishin vendësit që edhe me ndihmën e madhe të publikut, regjistruan fitore në fund me katër pikë epërsi.
Kyan Anderson pati statistikat më të mira në fitoren e Bashkimit me 16 pikë, tetë asistime e gjashtë kërcime.
Kontribut dha edhe De’Quon Lake me 14 pikë e shtatë kërcime.
Prej lojtarëve vendor më i miri ishte Lejson Zeqiri me 14 pikë e tetë kërcime.
GO+ Pejës nuk i ndihmoi loja e mirë e Cesare Edwardsit, që e mbylli duelin me dyshifror të dyfishtë prej 16 pikëve e 11 kërcimeve.
Nënkampioni i edicionit të kaluar, Bashkimi, vazhdon të jetë lider në tabelë me 6 fitore nga po aq ndeshje. GO+ Peja ka pesë fitore e një disfatë.