Pasi siguroi kualifikimin në “Euro 2024” me Shqipërinë, përzgjedhësi Sylvinho ka një tjetër synim edhe më të madh me “kuqezinjtë”. Trajneri nga Brazili ka pranuar se synimi i ardhshëm i tij është që ta kualifikojë Shqipërinë në Kampionatin Botëror të vitit 2026. Shqipëria nuk është kualifikuar asnjëherë në Botëror, ndërsa në Evropianin e vitit të ardhshëm në Gjermani do ta bëjë paraqitjen e saj të dytë në këtë turne, pas debutimit në “Euro 2016” në Francë. Sylvinho në një intervistë për mediumet italiane ka thënë se Shqipëria duhet të mësojë të luajë në Evropian, në mënyrë që të jetë e gatshme për kualifikim në Botëror. Shqipëria është kualifikuar në “Euro 2024” pasi përfundoi e para në Grupin E kualifikues me 15 pikë, ku regjistroi katër fitore, tri barazime dhe një humbje në tetë ndeshje të luajtura. Sylvinho mori drejtimin e Shqipërisë në fillim të këtij viti dhe pati sukses të jashtëzakonshëm brenda një periudhe të shkurtër, pasi siguroi pjesëmarrjen në Evropian. Në fakt, Sylvinho krahas kualifikimit në Botërorin e vitit 2026 thotë se Shqipëria duhet patjetër të kualifikohet edhe në “Euro 2028”.
“Duhet të mësohemi të luajmë në Evropian, duhet të kualifikohemi edhe në Kupën e Botës, pastaj të shkojmë sërish në Evropian. Nuk mund të ndalemi me kaq, nuk mund të mendojmë vetëm për kualifikimin në grupet e Evropianit. Mund të kualifikohemi dhe të shkojmë në raundin e 1/16-ve e më pas në çerekfinale, është shumë gjë e mirë, në fakt është e bukur”, ka thënë Sylvinho. “Por për mendimin tim ka më shumë rëndësi projekti për të ardhmen. Duhet të rritemi më shumë dhe të mësohemi që të shkojmë sërish në Evropian dhe në edicionin e radhës të kualifikohemi në Kupën e Botës”.
Botërori i vitit 2026 do të mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada, si dhe do të jetë turneu i parë në të cilin do të marrin pjesë 48 përfaqësuese. Ndeshjet e kualifikimeve evropiane për Botëror do të mbahet prej muajit mars të vitit 2025 deri në mars të vitit 2025, ndërsa shorti ende nuk është tërhequr. 16 përfaqësuese nga Evropa do të kualifikohen në Botërorin e vitit 2026, ndërsa ekipet në shortin e kualifikimeve do të ndahen në 12 grupe me nga katër apo pesë skuadra. Fituesit e grupeve do të kualifikohen direkt në botëror, ndërsa 16 përfaqësuese të tjera do ta kërkojnë një gjë të tillë nëpërmjet rrugëve të plejofit. Në plejof do të marrin pjesë 12 përfaqësueset që dalin të dytat në grupet kualifikuese, si dhe katër fituesit e grupeve në Ligën e Kombeve 2024/25. Sa u përket kundërshtarëve në “Euro 2024” dhe grupit në të cilin do ta paraqitet, Shqipëria do t’i mësojë të shtunën, kur edhe do të tërhiqet shorti në Hamburg.