Trajneri brazilian, Sylvinho, do të mbetet të paktën deri në korrik në postin e përzgjedhësit të Shqipërisë.
Lajmin për vazhdimin e kontratës me Sylvinhon e ka bërë të ditur të mërkurën Federata Shqiptare e Futbollit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKontrata u është vazhduar edhe dy ndihmësve të Sylvinhos, Pablo Zabaletas dhe Dorival Guidoni Juniorit.
“Kontrata e re me stafin teknik do të jetë e vlefshme deri në korrik 2026, me objektivin madhor kualifikimin për herë të parë në histori të Shqipërisë në fazën finale të Kupës së Botës. Nën drejtimin e trajnerit Sylvinho, Kombëtarja shqiptare ka shënuar një progres të dukshëm në organizim, identitet loje dhe rezultate, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në fazën plejofit të Botërorit 2026”, shkruan në njoftimin e FSHF-së.
Shqipëria për herë të parë në histori paraqitet në plejof për kualifikim në Kupën e Botës.
Më 26 mars “kuqezinjtë” do të ballafaqohen me Poloninë në gjysmëfinale të plejofit. Ndeshja luhet në Varshavë, ndërsa gjysmëfinalja tjetër e këtij minigrupi është ndërmjet Ukrainës dhe Suedisë. Në finale Ukraina apo Suedia do të jenë nikoqire.
Te FSHF-ja, e udhëhequr nga presidenti Armand Duka, janë të kënaqur me punën e brazilianit.
Nën drejtimin e Sylvinhos, Shqipëria në vitin 2024 u paraqit në Evropianin e mbajtur në Gjermani. Ishte hera e dytë që kuqezinjtë luajtën në kampionatin kontinental. Por Botërori deri më tani ishte shumë larg.
“Vendimi për rinovimin e kontratës reflekton besimin e plotë të FSHF-së në stafin aktual, filozofinë e punës së ndërtuar ndër vite dhe angazhimin për stabilitet, vazhdimësi dhe ambicie të larta. Ky hap synon forcimin e mëtejshëm të Kombëtares, rritjen e konkurrencës dhe përfaqësimin sa më dinjitoz të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Federata Shqiptare e Futbollit mbetet e vendosur të mbështesë maksimalisht Kombëtaren dhe stafin teknik në këtë rrugëtim historik, me synimin për të kthyer ëndrrën e Botërorit në realitet për të gjithë shqiptarët”, shkruan tutje FSHF-ja.
Në kualifikimet e rregullta për Botëror, Shqipëria mbeti prapa Anglisë. Por fitoi betejën, jo vetëm sportive, ndaj Serbisë, për vendin e dytë në grup.