Sport

Neymari padit Barcelonën

Kompania që kujdeset për Neymarin ka konfirmuar se do të ngrihet një padi ndaj Barcelonës lidhur me bonuset e papaguara të ish-lojtarit të tyre.

Barcelona ka refuzuar të paguajë 26 milionë euro bonuse të përfshira në kontratën të cilën Neymari e nënshkroi në vitin 2016, derisa braziliani po përballet me padi nga Barça për shkelje të kontratës.

NN Consultoria ka njoftuar se do të vazhdojë luftën për bonuset e Neymarit përmes gjykatës pasi kompania e ka quajtur “befasi” qëndrimin e Barçës për këtë çështje.

“Na takon që të sqarojmë se Neymari dhe avokatët e tij janë në dijeni me deklaratën e publikuar nga Barcelona”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

“Duhet të sqarojmë se jemi të befasuar pasi lojtari ka përmbushur kontratën e tij me depozitën e plotë që ka paguar për largimin e tij”, ka njoftuar kjo kompani.

“Lidhur me bonuset e kontratës së vitit 2016, që nuk janë paguar nga Barcelona, na takon neve që të konfirmojmë se lojtari ka nisur procedurë ligjore për të ardhurat që i takojnë”.