Newcastle Unitedi i ka bërë ofertë zyrtare Stuttgartit për shërbimet e sulmuesit Serhou Guirassy, ka shkruar “Bild” të shtunën.
Sipas gazetës gjermane, Newcastle ka ofruar 30 milionë euro për 27-vjeçarin, i cili po kërkohet edhe nga Milani e Atletico Madridi.
Megjithatë, thuhet se ekipi anglez është favorit për transferimin e tij në afatin kalimtar të janarit. Guirassy po shkëlqen këtë edicion me fanellën e Stuttgartit, ndërsa me ekipin gjerman ka kontratë deri në vitin 2026.
Në 10 paraqitje këtë edicion në të gjitha garat, sulmuesi i Guinesë ka shënuar 16 gola dhe ka bërë 2 asistime.
Guirassy po shihet si përforcim i madh për Newcastlen në repartin e sulmit dhe ekipi anglez pritet që brenda këtij viti të arrijë marrëveshjen me Stuttgartin.