Sport

Në Kosovë vlerësohet se VAR-i nuk i zgjidh të gjitha problemet e futbollit

Me bujë të madhe është pritur përdorimi i sistemit VAR në Kosovë. Është vlerësuar projekti më i madh që është bërë ndonjëherë nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK). Por jo të gjithë mendojnë se sistemi VAR do t’i zgjidhë të gjitha problemet e futbollit kosovar. Kështu të paktën thonë trajnerët e futbollit në Kosovës. Trajneri i skuadrës së Drenicës, Tahir Lushtaku, thotë se përdorimi i sistemit VAR në ndeshjet e Superligës është në interesin e të gjithëve. Mirëpo, ai insiston se problemet në fushë nuk do të zgjidhen vetëm me VAR-in.

“Do të jetë në interesin e të gjithëve edhe se nuk mendoj që VAR-i do t’i zgjidhë të gjitha problemet në fushë. Deri diku do të jetë më pozitiv me VAR, por tash mbetet të shihet. Gjyqtarët do të jenë më syhapur dhe do të veprojnë në mënyrë të drejtë pa ndonjë anim. Në testin e parë që kemi bërë, në ndeshjen me VAR, ka qenë një rast i diskutueshëm rreth një penalltie që është akorduar nga gjyqtari, por me këtë sistem është anuluar me të drejtë, sepse ka ekzistuar prekja e topit me dorë nga ana e lojtarit tonë sulmues”, ka thënë Lushtaku të mërkurën për KOHËN.

Në fakt, janë organizuar 53 ndeshje ku është testuar sistemi VAR, përpara se të martën mbrëma edhe zyrtarisht të debutojë në ndeshjen e Superkupës së Kosovës ndërmjet Prishtinës dhe Llapit. Llapi e fitoi ndeshjen me rezultatin 3:1 pas vazhdimeve në stadiumin “Fadil Vokrri”. Me këtë takim, edhe është konfirmuar implementimi i sistemit VAR që do të përdoret në të gjitha ndeshjet e elitës së futbollit kosovar, që nis këtë vikend.

Gjyqtari Dardan Çaka i ka konfirmuar tri momente të rëndësishme me konsultim me dhomën e VAR-it në duelin e Superkupës – përjashtimin e Endrit Krasniqit dhe dy penalltitë për Llapin. Për ta bërë të implementueshëm VAR-in, janë licencuar nëntë operatorë dhe 53 gjyqtarë, ndërsa janë bërë intervenime në tetë stadiume. Defektet në stadiumet e Kosovës kanë qenë nga më të ndryshmet.

“Kemi pasur telashe me vija, por tash janë rregulluar krejt tamam ashtu sipas proporcioneve dhe kushteve që kërkohen për implementimin e sistemit VAR”, është shprehur Lushtaku.

Telashet i ka bërë të ditura edhe i pari i FFK-së, Agim Ademi, që në prezantimin e VAR-it e konfirmoi si projektin më të madh të institucionit që e udhëheq.

“Jemi Federata që e kemi marrë licencën e VAR-it në afatin më të shkurtër. Janë gjashtë muaj që kemi punuar intensivisht në këtë projekt, që është më i madhi ndonjëherë nga FFK-ja. E kemi fituar një ekip profesional që do të jenë edhe në ndeshjet ndërkombëtare. VAR-i starton që nga ndeshja e Superkupës dhe do të jetë në ndeshjet e Superligës. Në 8 stadiume është intervenuar, në mënyrë që VAR-i të jetë i zbatueshëm. Ky projekt ka qenë ide e imja dhe jam i lumtur që tani po finalizohet”, tha ndër të tjera kreu i FFK-së, Ademi, të martën mbrëma.

Edhe trajneri i futbollit Gani Sejdiu thotë se të gjitha problemet nuk do të zgjidhen me sistemin VAR. Ai fton zyrtarët e klubeve dhe lojtarët të kenë durim.

“Jam kurioz ta shoh se si do të sillen në situata diskutabile, si në rastin e pozitës jashtë lojës. Gjyqtarët duhet të lejojnë përfundimin e aksionit, e më pas të konsultohen me VAR-in për situatat kontestuese. Do pak kohë derisa të bëhet adaptimi i VAR-it te ne. Do të ketë pakënaqësi, por VAR-i është i domosdoshëm te ne, sepse gabimet qoftë me tendencë apo jo janë parë të tilla. Do të ketë përmirësime, e edhe më korrekte do të jenë humbja dhe fitorja. Do të zgjidhë shumë probleme brenda fushës, por jo të gjitha. E shoh shumë të mirë dhe të domosdoshëm për futbollin kosovar”, ka thënë Sejdiu.

Në fakt, në çdo edicion ka pasur reagime e akuza të ndryshme në adresë të gjyqtarëve. Janë akuzuar për gjykim jo të drejtë dhe ndikim në rrjedhën e lojës. Akuzat nuk kanë qenë vetëm në adresë të gjyqtarëve, por ka pasur akuza të ndërsjella në mes klubeve edhe për kurdisje të ndeshjeve, fenomen që përcjell futbollin kosovar prej vitesh. Fenomeni i kurdisjeve është i përhapur edhe në të gjithë botën. Se sistemi VAR nuk do t’i heqë të gjitha telashet, e thotë edhe trajneri Erdin Hashani. Megjithatë, Hashani ka theksuar se VAR-i ua lehtëson punën gjyqtarëve.

“Ndoshta në fillim të ndeshjes së Superkupës nuk kishte koordinim. Duhej më shumë koordinim mendoj unë. Sado që sinjalizohej se gjyqtari po konsultohej me VAR-in, në ekran nuk na jepte atë pamje. Ky ishte një defekt dhe shpresoj të njëjtën ta zgjidhin. Me VAR është shumë më mirë, sepse ua lehtëson punën gjyqtarëve. Do të minimizohen edhe problematikat dhe gjyqtarët nuk do të jenë shënjestër siç kanë qenë më parë. Nuk mund të zgjidhen të gjitha problemet, por do të zvogëlohen sadopak. Shpresoj të mos ketë ndalesë të lojës shumë, sepse vendimet duhet të jenë më të shpejta”, ka thënë Hashani.