Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Napoli nis mbrojtjen e titullit me trajner të ri, por pasionin e njëjtë

Tifozët e Napolit po bëhen gati të nisin aty ku e lanë tre muaj më parë. Qyteti jugor i Napolit mezi ka pushuar së festuari që kur skuadra i dha fund pritjes 33-vjeçare për titullin e ligës italiane dhe rrugët janë ende të zbukuruara me ngjyrat e klubit. Thirrjet e “kampionëve” shpërthyen në disa prej ndeshjeve të fundit të Napolit edicionin e kaluar, pasi klubi fitoi titullin pesë xhiro para përfundimit dhe të njëjtat këngë do të këndohen me gëzim kur skuadra do ta hapë edicionin 2023/24 në udhëtim te Frosinone e rikthyer në elitë, të shtunën. Por do të jetë një Napoli me pamje të re që del në fushë, jo vetëm sepse do të ketë fytyra të reja në formacion. Luciano Spalletti - taktikat sulmuese të të cilit u lavdëruan nga e gjithë Evropa - u largua nga posti i trajnerit, duke thënë se kishte nevojë për një pushim dhe u zëvendësua nga Rudi Garcia. 59-vjeçari Garcia mori drejtimin e Napolit pasi u largua nga Arabia Saudite. Trajneri francez u largua nga Al-Nassr me marrëveshje të dyanshme në prill, jo shumë kohë pasi u transferua Cristiano Ronaldo dhe përpara se klubet e tjera të fillonin të nënshkruanin disa nga lojtarët më të mirë të Evropës. Garcia është i njohur me futbollin italian, pasi ka udhëhequr Romën për dy vjet e gjysmë, por trofetë e vetëm në karrierën e tij erdhën 12 vjet më parë, kur ai udhëhoqi Lillen drejt titullit dhe kupës së Francës. Në favor të Garcias është fakti që Napoli mbetet kryesisht i pandryshuar nga edicioni i kaluar ku e fitoi titullin, duke impresionuar edhe në Evropë.

“Ne jemi gati për të filluar sezonin”, tha Garcia. “Ajo që ka rëndësi është të jemi në gjendjen më të mirë për ndeshjen në Frosinone. Ne duhet të bëjmë një paraqitje të mirë, sepse përballemi me një kundërshtar luftarak”.

Nxitja më e madhe e Napolit në afatin kalimtar të verës është se ai arriti të mbajë sulmuesin Victor Osimhen, pavarësisht ofertave të majme. Osimhen ndihmoi Napolin edicionin e kaluar, me 26 gola në ligë, dhe do të kryesojë sërish sulmin së bashku me Khvicha Kvaratskhelian. Megjithatë, Napolit iu largua një tjetër nga lojtarët kyç të edicionit të kaluar, mbrojtësi Kim Min-jae, që iu bashkua Bayernit. Kim ishte mbrojtësi më i mirë i Serie A edicionin e kaluar dhe luajti të gjitha, përveç tri nga 38 ndeshjet e Napolit në ligë. Në përpjekje për të mbushur boshllëkun e lënë në mbrojtje, Napoli ka nënshkruar me brazilianin Natan. Përveç ardhjes së Natanit dhe mesfushorit të Suedisë, Jens Cajuste, Napoli nuk ka qenë aktiv në tregun e transferimeve. Kjo mund të jetë pjesërisht për shkak të largimit të drejtorit sportiv Cristiano Giuntoli, i cili u largua dhe shkoi te Juventusi.

“Ne po vijmë pas një sezoni të mrekullueshëm dhe jemi të vetëdijshëm se një aventurë e re po fillon tani”, tha sulmuesi i Napolit, Giovanni Simeone. “Të luash me fanellën e Napolit të shtyn të japësh gjithçka për këtë ekip dhe për këtë qytet. Dëshira jonë është të konfirmojmë identitetin fitues që kemi fituar gjatë sezonit të kaluar”.