Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Garcia nuk frikësohet ta zëvendësojë Spallettin te Napoli

Rudi Garcia ka insistuar se nuk është i shqetësuar për të marrë drejtimin e Napolit vetëm disa javë pasi skuadra e fitoi titullin e parë në Serie A që nga ditët e Diego Armando Maradonas. Francezi Garcia ka një mision të vështirë tek ekipi italian për ta zëvendësuar Luciano Spallettin, i cili u largua në fillim të këtij muaji pasi i dha fund pritjes 33-vjeçare të Napolit për “Scudetto”.

“Unë nuk kam frikë nga asgjë. Titulli duhet t'u japë besim lojtarëve, por kur të fillojë sezoni i ri ne do të fillojmë përsëri nga zero. Lojtarët duhet të harrojnë atë që kanë arritur më parë”, tha Garcia në prezantimin e tij zyrtar. “Ne kemi një skuadër të madhe që do të na ndihmojë të fitojmë ndeshje dhe presidenti është ambicioz. Kjo do të thotë se unë do të kem një ekip të mirë dhe ne mund të argëtojmë tifozët me lojë të mirë”.

Garcia është i njohur me futbollin italian falë kohës së tij me Romën, të cilën e udhëhoqi në Ligën e Kampionëve në vitet 2014 dhe 2015 përpara se të shkarkohej në edicionin pasues. Ardhja e tij në Napoli është një lloj “hakmarrjeje” për Spallettin, i cili zëvendësoi Garcian te Roma në janar të vitit 2016. Është edhe një shans për francezin të rindërtojë reputacionin e tij pas një periudhe jo të mirë në karrierën si trajner.

Garcia, i cili fitoi titullin e kampionit në Ligue 1 me Lillen në vitin 2011, u shkarkua nga Al-Nassr në prill, jo shumë kohë pasi klubi nga Arabia Saudite angazhoi Cristiano Ronaldon me një marrëveshje me vlerë dhjetëra miliona dollarë. Garcia ka humbur në finale të Ligës së Evropës me Marseillen në vitin 2018, ndërsa dy vjet më vonë e çoi Lyonin deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

“Kur arrita për herë të parë këtu dhe pashë të gjitha pankartat dhe flamujt, kuptova se qyteti është shumë krenar për ekipin dhe shpresoj që të vazhdojë të jetë kështu”, tha Garcia. “Kur filloj një garë, synoj ta fitoj atë. Është e qartë se pritjet janë shumë të mëdha, por ka klube me shuma të mëdha parash. Por unë mendoj se Napoli është një ekip që duhet të jetë çdo vit në Champions”.

59-vjeçari mbërrin në Napoli me klubin në një gjendje të pasigurt, me raportime për një përçarje midis drejtorit sportiv Cristiano Giuntoli dhe pronarit Aurelio De Laurentiis. Giuntoli ka qenë çelësi për ndërtimin e ekipeve të forta te Napoli vitet e fundit, ndërkohë që pak a shumë ka balancuar edhe llogaritë gjatë tetë vjetëve të fundit. Por ai ka një marrëveshje me Juventusin, pavarësisht se i ka mbetur edhe një vit në kontratë. Ndërkohë, disa nga lojtarët e sjellë nga Giuntoli mund të largohen nga Napoli këtë verë, me mbrojtësin Kim Min-jae që është mes Manchester Unitedit dhe Bayern Munichut. Victor Osimhen gjithashtu ka një mori ofertash pasi shënoi 31 gola për Napolin edicionin e fundit, ndërsa mesfushori kryesor Piotr Zielinski mund t'i bashkohet ish-trajnerit të Napolit, Maurizio Sarrit në Lazio.

Edhe Napoli nis mbrojtjen e titullit me trajner të ri, por pasionin e njëjtë Sport Napoli nis mbrojtjen e titullit me trajner të ri, por pasionin e njëjtë

De Laurentiis tha se dëshiron që Osimhen të qëndrojë te Napoli dhe se do të shikojë vetëm oferta të mëdha – mbi 100 milionë euro - për sulmuesin nigerian. Presidenti po ashtu zbuloi se përpara se të fitonte titullin e kampionit në Serie A, Napoli kishte arritur tashmë një marrëveshje me Osimhenin për të rinovuar kontratën deri në vitin 2027, e cila ende nuk është bërë zyrtare.

Garcia ka firmosur kontratë njëvjeçare me Napolin me opsionin e rinovimit nëse tregohet i suksesshëm.