Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Napoli e nis mbrojtjen e titullit ndaj Frosinones

Tifozët e Napolit po bëhen gati të krijojnë tjetër atmosferë të zjarrtë në tribuna.

Festën pritet të vazhdojnë pas tre muajsh, kur e festuan titullin e kampionit pas 33 vjetësh.

Ishte titulli i tretë i fituar nga Napoli i Amir Rrahmanit.

Këtij suksesi napolitanët iu gëzuan pesë ndeshje pa përfunduar kampionati.

Dhe mbrojtjen e titullit Napoli e nis të shtunën nga ora 18:30, kur luan në udhëtim te Frosinone, skuadër e inkuadruar sivjet në Serie A.

Do të jetë Napoli tjetër, pasi trajneri Luciano Spalletti, i cili e drejtoi ekipin deri në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, është larguar. Vendin e tij e ka zënë Rudi Garcia.

59-vjeçari francez u largua nga Al-Nassr.

Ai në të kaluarën ka udhëhequr edhe skuadrën e Romës për dy vjet e gjysmë.

Por trofetë e vetëm në karrierën e tij erdhën pas 12 vjetësh në profesionin e trajnerit, kur Lille me të e fitoi ligën dhe Kupën e Francës, në edicionin 2010/11.

Victor Osimhen ka qëndruar deri tani te Napoli, ndonëse afati kalimtar veror ende është i hapur.

Ai në edicionin e kaluar realizoi 26 gola, dhe shkëlqeu bashkë me Khvicha Kvaratskhelian, që pritet të mungojë në ndeshjen e parë.

Por nga Napoli është larguar jugkoreani Kim Min-Jae, që u transferua te Bayern Munichu.

Kim ishte mbrojtësi më i mirë i sezonit në Serie A dhe luajti në 35 ndeshje.

Në xhiron e parë të Serie A, nënkampioni Lazio luan të dielën në udhëtim te Lecce nga ora 20:45.

Finalisti i edicionit të kaluar në Ligën e Kampionëve, Interi, e nis në shtëpi të shtunën kampionatin nga ora 20:45 me duelin përballë Monzas, kurse Milani e mbyll xhiron e parë të Serie A të hënën, nga ora 20:45. Luan në udhëtim te Bologna.

Juventusi përballet me Udinesen të dielën në orën 20:45.

Artikuj të ngjashëm