Te kampioni i Italisë, Napoli, po mendojnë për ndryshim në pozitën e trajnerit. “Gazzetta dello Sport” ka njoftuar të martën se presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis tashmë ka nisur kërkimet për një trajner të ri.
Thuhet se De Laurentiis aspak nuk është i kënaqur me punën e francezit Rudi Garcia, të cilin pritet së shpejti ta shkarkojë.
Napoli ka pasur një start të dobët këtë edicion, ku pas pesë ndeshjeve të luajtura ka regjistruar 2 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje.
Garcia mori drejtimin e Napolit para fillimit të këtij edicioni, duke zëvendësuar Luciano Spalletti por me punën e tij nuk janë të kënaqur në klub. Ai ka kontratë me Napolin deri në vitin 2025, ndërsa si pasardhës të tij po përmenden kroati Igor Tudor dhe francezi Christoph Galtier.