Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Napoli dhe Lazio, liderët e edicionit të kaluar që kanë ngecur këtë edicion

Vitin e kaluar, Napoli dhe Lazio përfunduan në dy pozitat e para në Serie A. Napoli doli kampion, ndërsa Lazio nënkampion. Megjithatë, kur të dyja skuadrat të përballen me njëra- tjetrën të dielën, ato do të luftojnë për vendin e katërt. Të dyja skuadrat patën fillim të vështirë këtë edicion, por ndërsa gjërat janë përmirësuar shumë për Lazion, forma e Napolit mbetet aq e dobët saqë po qarkullojnë thashethemet për një trajner të tretë të mundshëm në më pak se një vit për kampionin në fuqi të Italisë. Trajneri francez Rudi Garcia e nisi edicionin në krye të Napolit, por u shkarkua në nëntor. Rezultatet vështirë se janë përmirësuar nën Walter Mazzarrin, i cili ka fituar pesë nga 13 ndeshjet e tij në të gjitha garat. Napoli është i teti në Serie A dhe ka 21 pikë prapa Juventusit që është lider. Edhe para se Napoli të humbiste në finalen e Superkupës së Italisë të hënën, pati raportime se presidenti i klubit Aurelio De Laurentiis do të takohej me Jose Mourinhon pasi trajneri portugez u shkarkua nga Roma. Megjithatë, para këtij takimi me Mourinhon kishte shenja përmirësimi te Napoli. E fitoi ndeshjen e fundit në Serie A para udhëtimit në Arabinë Saudite për turneun e Superkupës. Edhe pse iu desh një gol i vonshëm për të mposhtur klubin e fundit në kampionat, Salernitanan 2:1, kjo ndali serinë prej katër ndeshjesh pa fitore apo edhe një gol për skuadrën e Mazzarrit. Napoli – pa lojtarë kyç duke përfshirë Victor Osimhenin për shkak të Kupës së Afrikës ose lëndimit – vazhdoi me fitore ndaj Fiorentinës 3-0 në gjysmëfinalen e Superkupës në Riad përpara se të humbiste 1:0 nga Interi, në finalen që për gjysmë ore luajti me një lojtar më pak për shkak se Giovanni Simeone u përjashtua. Napoli u zemërua nga përjashtimi dhe vendimet e tjera të arbitrave dhe askush nuk foli për mediat përveç presidentit De Laurentiis.

“Është një Napoli që po kalon nëpër ndryshime, lojtarë të ndryshëm të rinj po vijnë dhe ne jemi të destinuar të ndryshojmë”, tha ai. “Merita për fituesit, por pashë një ekip të Napolit që po rritet. Me 10 lojtarë dhe me mungesa të ndryshme skuadra ia vështirësoi jetën Interit”.

Lazio doli shumë më keq kundër Interit pasi u poshtërua 3:0 në gjysmëfinalen e tyre të premten e kaluar.

Kjo ndaloi një seri prej pesë fitoresh radhazi për Lazion, gjatë së cilës pranoi vetëm dy gola.

“Ka një hendek mes nesh dhe Interit, por nuk është aq i madh sa ajo që pamë”, tha trajneri i Lazios, Maurizio Sarri, pas humbjes së Superkupës. “Ekipi dukej i frikësuar, ne ishim vonë për gjithçka. Ka ndodhur më parë, ku kemi pasur ndërprerje pas një serie ndeshjesh pozitive, por jo si kjo. Humbja në këtë mënyrë më bezdis vërtet”.

Lazio është i gjashti në ligë, vetëm një pikë pas Fiorentinës së vendit të katërt dhe dy më shumë se Napolit përpara ndeshjes në Romë me kampionin në fuqi. Fiorentina e pret Interin të dielën.