Gabimi i Napolit në xhiron e kaluar i mundësoi Interit që t’i afrohet kreut të tabelës në vetëm një pikë.
Dy xhiro para fundit, gara për titullin e kampionit në Itali vazhdon të jetë e hapur.
Pas 36 ndeshjeve të zhvilluara, lider është Napoli me 78 pikë. Interi është vendin e dytë me një pikë më pak.
Interi të dielën nga ora 20:45 e pret Lazion në kuadër të javës së 37-të.
Për të dyja skuadrat kjo ndeshje është shumë e rëndësishme.
Në rast se Interi mposhtet nga Lazio, atëherë Napoli do ta sigurojë titullin e kampionit nëse e mposht Parman. Edhe Napoli luan të dielën nga ora 20:45 në udhëtim te Parma.
Interi është kampion në fuqi dhe paraqitet në finale të Championsit. “Nerazzurrët” kanë sulmin më të mirë në kampionatin italian.
Skuadra e Simone Inzaghit ka tri fitore rresht. Ndërkohë Lazio ka 64 pikë dhe e zë vendin e pestë. Lazio po lufton që ta sigurojë një pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm. Katër pozitat e para dërgojnë në “Champions” nga Serie A.
64 pikë i ka edhe Juventusi në pozitën e katërt. Një pikë më pak se Juventusi dhe Lazio e ka Roma në vendin e gjashtë.
“Championsin” tashmë e ka siguruar Atalanta qe renditet në pozitën e tretë me 71 pikë.
Lazio është e pamposhtur në shtatë ndeshjet e fundit në ligë. Interi i ka fituar katër nga pesë ndeshjet e fundit ndaj Lazios.
Në total të dyja skuadrat janë takuar në 187 ndeshje. Interi prin me 79 fitore, Lazio ka 48 fitore dhe 60 herë ndeshja ka përfunduar baras.
Të dielën nga ora 20:45 do të luhet edhe një ndeshje tjetër interesante mes Romës dhe Milanit.
Milani të mërkurën u mposht në finale të Kupës së Italisë nga Bologna.
Milani ka 60 pikë dhe renditet në pozitën e tetë.